Gjykata Themelore refuzon hedhjen e aktakuzës ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt për keqpërdorim të detyrës dhe mosraportim të pasurisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të refuzojë kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në çështjen penale ndaj të akuzuarve Faruk Mujkës, Kryeshef i Ibër-Lepencit, dhe Hysen Muzliukajt, Drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike. Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Vendimi është marrë me…

Lajme

26/12/2025 16:01

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të refuzojë kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në çështjen penale ndaj të akuzuarve Faruk Mujkës, Kryeshef i Ibër-Lepencit, dhe Hysen Muzliukajt, Drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Vendimi është marrë me datë 16 dhjetor 2025, në kuadër të Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.85/2022, e cila i akuzonte të dy për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Faruk Mujka akuzohej edhe për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave dhe detyrimeve financiare.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Departamenti Special ka vendosur lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës në çështjen penale kundër të akuzuarve F.M. dhe H.M., të dyshuar për veprën penale në Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe i akuzuari F.M. edhe për veprën penale Mosraportimi ose raportimi i  rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, të akuzuar sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.85/2022 e datës 08.09.2025. Me datë 16.12.2025 Departamenti Special në çështjen penale kundër të akuzuarve F.M. dhe H.M., përmes Aktvendimit ka refuzuar  Kërkesën për hedhjen e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.85/2022  të datës 08.09.2023 dhe kundërshtimin e provave. Procedura penale ndaj të akuzuarve F.M. dhe H.M vazhdon me shqyrtimin gjyqësor.”, thuhet në përgjigjen për lajmi.net nga Gjykata Themelore.

Siç është raportuar në media, Gjykata, pas shqyrtimit të parashtrimeve, ka gjetur se iniciativat për procedurën e këmbimit të ish-objektit të Bankosit janë realizuar nga Mujka dhe Muzliukaj, pasi të dy nënshkruan propozimin dhe vunë në lëvizje mekanizmin vendimmarrës të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut. Sipas gjykatës, Muzliukaj nuk ka dhënë sqarim të mjaftueshëm për objektin gjatë mbledhjes së kuvendit, ku asamblistët nuk kishin informacion të plotë mbi vendimin që po votonin.

Sa i përket çështjes së mjeteve të gjetura në shtëpinë e Faruk Mujkës, gjykata ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara. Mujka ka deklaruar se paratë përbëjnë kursimet e tij dhe të bashkëshortes gjatë 22 viteve punë, ndërsa mungesa e deklarimit të shumës prej 60,050 eurosh në formularin vjetor të vitit 2022 konsiderohet element i veprës penale sipas nenit 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Procedura penale ndaj të akuzuarve Mujka dhe Muzliukaj vazhdon me shqyrtimin gjyqësor, ndërsa vendimi i gjykatës nuk e ndalon hetimin dhe procesin gjyqësor për çështjen në fjalë./lajmi.net/