Rritja e tatimi në pronë, bizneset përballë “katastrofës” tatimore
Tatimi në pronë në Kosovë pritet të shënojë rritje mbi 200 për qind nga janari, pas dështimit të miratimit të projektligjit për ndarjen buxhetore 2026 në Kuvend. Ligji për tatimin në pronë, që përfshin shkallën progresive të tatimit, ishte miratuar në vitin 2024, dhe zbatimi i tij ishte planifikuar për vitin 2025. Gjatë periudhës së…
Lajme
Tatimi në pronë në Kosovë pritet të shënojë rritje mbi 200 për qind nga janari, pas dështimit të miratimit të projektligjit për ndarjen buxhetore 2026 në Kuvend. Ligji për tatimin në pronë, që përfshin shkallën progresive të tatimit, ishte miratuar në vitin 2024, dhe zbatimi i tij ishte planifikuar për vitin 2025.
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore në vitin 2025, zbatimi i shkallës progresive u shty për vitin 2026, për të krijuar hapësirë për rishikim ligjor dhe koordinim me komunat, të cilat kishin kërkuar lehtësime për qytetarët dhe bizneset. Vendimi për shtyrjen u bë ligjërisht përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore të miratuar në dhjetor 2024, që siguroi bazën ligjore për këtë shtyrje.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një deklaratë për KosovaPress ka paralajmëruar se tatimi në pronë për prona komerciale mund të rritet mbi 200 për qind, nëse nuk ndryshohet vendimi i Ministrisë së Financave lidhur me aplikimin e shkallës progresive të tatimit në pronë.
“Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës edhe para disa viteve kemi kërkuar që ky ligji për tatimin në pronë të amandamentohet në mënyrë që taksa progresive, mundësisht të hiqet nga ky ligj, sepse taksa progresive ndikon në ngritjen e faturave për qytetaret, por gjithashtu edhe për bizneset, mirëpo më së shumti për bizneset në këtë rast, për prona komerciale. Nëse vlerësohet se sa kanë paguar këtë vit bizneset dhe në vitin e ardhshëm nëse nuk ndryshohet vendimi i Ministrisë së Financave, atëherë tatimi në pronë për prona komerciale mund të shkojë më shumë sesa 200 për qind. Neve e kemi bërë një analizë në bazë se sa tani paguajnë bizneset dhe sa do të paguajnë vitin e ardhshëm nëse nuk pezullohet ky nen…Nëse vlera e pronës komerciale është rreth 7 milionë euro, atëherë deri më tani tatimi në pronë është paguar rreth 11 mijë deri në 12 mijë euro. Mirëpo, me këtë nen me shkallen progresive të tatimit në pronë i njëjti biznes do të paguajë deri 26 mijë e 500 euro tatimin në pronë, që i bie mbi 200 për qind”, thotë Ibrahimi.
Asociacioni i Komunave të Kosovës po shpreson që Ministria e Financave të marrë vendim për shtyrjen e afatit të lëshimit të fletëpagesave për qytetarët dhe bizneset.
“Neve po shpresojmë që Ministria e Financave do të merr një vendim për shtyrjen e afatit të lëshuarjes së fletëpagesave për qytetarët dhe bizneset, sepse, afati se ku lëshohen këto fatura tek bizneset është prej datës 1 janar deri me 31 janar. Neve do të presim se cili do të jetë qëndrimi i Ministrisë së Financave në këtë rast, sepse ata mund të marrin një vendim për shtyrjen e afatit të lëshuarjes të faturave ndaj qytetareve dhe bizneseve….Kryetaret e komunave janë ankuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës, sepse bizneset kanë bërë presion tek kryetarët e komunave duke menduar që komunat janë kushtimisht fajtore për ngritjen e mundshme të faturave të tatimit ashtu siç është aluduar në të kaluarën. Do të shohim a do të merr ndonjë vendim, nëse jo ne do të kërkojmë që të shtynë lëshimin e faturave deri në fund të marsit”, nënvizon Ibrahimi.
Shqetësimet janë të pranishme edhe te sektori i bujqësisë. Fermeri Valon Vehapi, i cili kultivon drithëra në rreth 200 hektar tokë dhe shumicën e ngastrave i ka me qira, shprehet se rritja e tatimit në pronë do të rëndonte më shumë buxhetin e fermerëve dhe do të ndikonte drejtpërdrejt shtresën më të varfër.
“Tatimi në pronë nëse e bëjnë për ngastrat e bujqësisë, tokat që i punojnë katundarët, tash, unë, p.sh që jam si bujk komercial, dhe i kam thuajse qind për qind ngastrat me qira, nëse një ngastër ka qenë prej 100 euro deri në 200 euro, e kemi paguar për hektar qiranë. Tash sa do të jetë kjo pjesa e tatimit në pronë do të na bartet neve si bujq. D.m.th. tatimi në pronë me ngastrat e bujqësisë, token bujqësore do e prek drejtpërdrejt shtresën më të varfër të shoqërisë…Çmimi ka me qenë, se këta kanë shkuar me një lloj, e kanë shikuar sa e ka vlerën toka, nëse një hektar tokë e ka kaluar vlerën e 50 mijë eurove, ai ka me pas tatimin në pronë diku një hektar deri në 70 euro, çka do të jetë një kosto e papërballueshme për bujqit. Nga një anë po na përkrah me mjete subvencione, anën e kundërt kthehet dhe e merr atë pjesë”, thotë Vehapi.
Megjithatë, sipas ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, tani nuk është më e mundur që vendimi të shtyhet sërish pa miratimin e Kuvendit për ligjin për ndarjen buxhetore. Pa këtë ligj, shkalla progresive rrezikon të hyjë në fuqi pa asnjë ndryshim, duke rritur ndjeshëm faturat për qytetarët dhe bizneset, përfshirë pronat komerciale.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, thekson se pa një qeveri të re të formuar shpejt dhe pa miratimin e ligjit për ndarje buxhetore, nuk është e mundur të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore.
“Po besoj që e keni pa që në ligjin për ndarjen buxhetore, projektligjin që e kemi dorëzuar në kuvend, është paraparë shtyrja, sepse ne e kemi paraparë që të ndryshohet ai ligj në koordinim me komunat. Sepse e kemi po që komunat kanë kërkuar të bëhet ndryshimi, por, ja që partitë opozitare nuk e votuan projektligjin për ndarje buxhetore, kështu që tash na mbetet që të sigurohemi që do të kemi qeveri sa më shpejtë që është e mundshme, e kjo mundësohet vetëm me një rezultat ku LVV me partnerët e koalicionit e përsërit një rezultat të ngjashëm sikur në vitin 2021. Pra, që qeveria të formohet në afat rekord dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme, të miratohet ligji për ndarje buxhetore, si dhe pastaj të bëhen edhe ndryshim plotësimet e ligjeve të tjera të nevojshme”, thotë Murati.
Ligji për tatimin në pronë në Kosovë përfshin shkallën progresive të tatimit për pronat individuale, pronat komerciale dhe tokat bujqësore. Zbatimi i kësaj shkalle progresive është shtyrë për vitin tatimor 2026 përmes Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, me 12 dhjetor 2024.