OSBE: Niveli ndërkomunal s’po bashkëpunon sa duhet

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin mbi bashkëpunimin ndërkomunal, zbatimin në praktikë të të cilit e ka kritikuar, duke thënë se mbetet i kufizuar dhe i pashfrytëzuar mjaftueshëm. Në raport thuhet se si rezultat i mungesës së bashkëpunimit, humbin mundësitë për shërbime të fuqishme, shpenzime publike më efikase e bashkëpunim më të madh…

Lajme

24/12/2025 15:00

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin mbi bashkëpunimin ndërkomunal, zbatimin në praktikë të të cilit e ka kritikuar, duke thënë se mbetet i kufizuar dhe i pashfrytëzuar mjaftueshëm.

Në raport thuhet se si rezultat i mungesës së bashkëpunimit, humbin mundësitë për shërbime të fuqishme, shpenzime publike më efikase e bashkëpunim më të madh mes komuniteteve.

“Pavarësisht këtyre përfitimeve potenciale, raporti ynë konstaton se bashkëpunimi ndër-komunal është ende dhe shpeshherë joformal, i pastrukturuar, ose nuk ndodh fare. Si rezultat, shpesh humbasin mundësitë për shërbime më të fuqishme, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar mes komuniteteve”, ka thënë ambasadori Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Raporti e identifikon si mundësi të rëndësishme investimin në bashkëpunimin ndërkomunal si mjet për qeverisje lokale gjithëpërfshirëse, me kosto efektive dhe të qëndrueshme në Kosovë. Njëkohësisht, ai ofron rekomandime për autoritetet.

“Thjeshtimin dhe modernizimin e kornizës ligjore në mënyrë që të lehtësohet dhe përshpejtohet procesi i themelimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit ndër-komunal; Krijimin e stimujve domethënës të politikave, përfshirë këtu një fond të dedikuar dhe të qasshëm për bashkëpunimin ndër-komunal me kod buxhetor, të mbështetur nga udhëzime strategjike, modele dhe mentorim; Forcimin e mbështetjes institucionale, veçanërisht përmes rritjes së kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për t’i këshilluar komunat, monitoruar marrëveshjet dhe promovuar përpjekjet për bashkëpunim ndër-komunal; dhe promovimin e BNK si shtytës të gjithëpërfshirjes, duke përfshirë bashkëpunimin në reagimet ndaj dhunës me bazë gjinore, shërbimeve për të rinjtë, si dhe iniciativave ndërmjet komunave me shumicë dhe struktura të ndryshme të komuniteteve”, thuhet më tej në raport.