Kërkohet paraburgim ndaj policit që pranoi ryshfet për ta futur ilegalisht në Kosovë një shtetas serb
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit për zyrtarin policor për marrje të ryshfetit dhe shtetasit serb që i dha ryshfet për kalim të kufirit për në Kosovë. Prokuroria ka dhënë informacione shtesë rreth rastit. Në njoftimin e saj thuhet se zyrtari me veturën e tij e ka kaluar ilegalisht kufirin bashkë me…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit për zyrtarin policor për marrje të ryshfetit dhe shtetasit serb që i dha ryshfet për kalim të kufirit për në Kosovë.
Prokuroria ka dhënë informacione shtesë rreth rastit. Në njoftimin e saj thuhet se zyrtari me veturën e tij e ka kaluar ilegalisht kufirin bashkë me qytetarin serb dhe e ka dërguar në Prizren.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i pandehuri A.K., me datë 22.12.2025, rreth orës 08:10min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete. I njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe i veshur me uniformë zyrtare i ka mundësuar B.C., hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit, i ishte ndaluar hyrja në Kosovë nga Policia e Kosovës, për mungesë dokumentacioni. Pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar me veturën e tij ilegalisht kufirin bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren”, thuhet nga Prokuroria.
Prokuroria Themelore ka kërkuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për dy të pandehurit.