ZRRE: Vendimi për tarifat e reja të energjisë pritet në mars 2026, zbatimi nga prilli

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë të ditur për lajmi.net se procesi i shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026 “është ende në fazat fillestare dhe zhvillohet sipas një orari indikativ”. Ky proces përfshin shqyrtimin e të gjitha parametrave të tarifave, për të siguruar që vendimet të jenë transparente, të qëndrueshme…

Lajme

23/12/2025 14:42

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë të ditur për lajmi.net se procesi i shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026 “është ende në fazat fillestare dhe zhvillohet sipas një orari indikativ”.

Ky proces përfshin shqyrtimin e të gjitha parametrave të tarifave, për të siguruar që vendimet të jenë transparente, të qëndrueshme dhe në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

ZRRE ka konfirmuar se vendimi përfundimtar për tarifat e reja “pritet të merret gjatë muajit mars 2026, ndërsa zbatimi i tyre është planifikuar të fillojë nga muaji prill 2026”.

Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset duhet të jenë të përgatitur për ndryshimet e tarifave që do të hyjnë në fuqi nga fillimi i muajit prill.

Sipas ZRRE-së, aplikimet për të hyrat e lejuara nga operatorët e rrjeteve dhe furnizuesi me shërbim universal “pritet të dorëzohen gjatë javës së tretë të muajit janar 2026”.

Pas dorëzimit të këtyre aplikimeve, Zyra do të kryejë shqyrtimin rregullativ përkatës, për të siguruar që çdo tarifë të jetë e justifikuar dhe e bazuar në të dhëna reale të konsumit dhe kostos së furnizimit me energji elektrike.

ZRRE ka theksuar gjithashtu se “deri në hyrjen në fuqi të tarifave të reja, të gjitha tarifat ekzistuese, përfshirë blloqet e konsumit deri dhe mbi 800 kWh, si dhe tarifat e tjera përkatëse, mbesin në fuqi deri më 31 mars 2026, ose deri në marrjen dhe publikimin e një vendimi të ri nga ZRRE”.

Kjo nënkupton se konsumatorët nuk do të përballen menjëherë me ndryshime në faturat e tyre derisa të miratohen dhe publikohen tarifat e reja, duke ofruar një periudhë kalimi dhe stabilitet deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

ZRRE gjithashtu ka bërë të ditur se procesi i shqyrtimit do të zhvillohet në mënyrë të hapur dhe transparente, me qëllim që të gjithë aktorët e sektorit energjetik të kenë mundësi të ndajnë informacionin dhe të kontribuojnë në vendimmarrje.

Ky proces synon të sigurojë që tarifat e energjisë elektrike për vitin 2026 të jenë të balancuara, të bazuara në kostot reale dhe të adresojnë nevojat e konsumatorëve dhe furnizuesve në mënyrë të drejtë./lajmi.net/