Reuters: Kosova drejt zgjedhjeve, ndërsa bllokada politike rrezikon fondet jetike

Kosova do të mbajë zgjedhje parlamentare më 28 dhjetor, pas një bllokade politike që zgjati më shumë se një vit, e cila çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe la një boshllëk prej rreth 1 miliard eurosh në financat tashmë të brishta të vendit, shkruan Reuters, transmeton lajmi.net. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet…

Lajme

22/12/2025 10:09

Kosova do të mbajë zgjedhje parlamentare më 28 dhjetor, pas një bllokade politike që zgjati më shumë se një vit, e cila çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe la një boshllëk prej rreth 1 miliard eurosh në financat tashmë të brishta të vendit, shkruan Reuters, transmeton lajmi.net.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet e fundit në shkurt, por nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme dhe as të formojë koalicion, pas një fushate të ashpër politike. Shumë analistë druhen se një rezultat i ngjashëm mund ta thellojë krizën, veçanërisht pasi zgjedhjet po mbahen vetëm katër muaj para votimit të presidentit të ri dhe në prag të afateve për ratifikimin e kredive ndërkombëtare.

“Këto zgjedhje janë ndër më të rëndësishmet në historinë e fundit të Kosovës, sepse vijnë pas një viti bllokade dhe vetëm katër muaj para zgjedhjes së presidentit,” tha analisti politik Artan Muhaxhiri.
“Nëse Kurti fiton sërish me rreth 42%, bllokada do të përsëritet, sepse hendeku mes tij dhe partive të tjera është shumë i madh dhe i pakapërcyeshëm.”

Në Kosovë nuk publikohen sondazhe zgjedhore, ndaj është e paqartë se si do të shkojë votimi. Megjithatë, duket pak e mundshme që partitë kryesore opozitare të jenë të gatshme të hyjnë në koalicion me Kurtin, të cilin e akuzojnë për rritje të tensioneve me komunitetin serb në veri, mungesë përmirësimi të standardit të jetesës dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Kurti, i cili erdhi në pushtet në vitin 2021, fajëson opozitën për ngërçin politik dhe shprehet optimist se mund të sigurojë rreth 500 mijë vota për shumicë të plotë. Në një tubim këtë javë, ai premtoi rritje pagash, investime kapitale prej 1 miliard eurosh në vit dhe krijimin e një njësie të re prokuroriale për luftimin e krimit të organizuar.

“Tani besoj se kurrë më shumë se sot nuk ka qenë reale ‘Kurti Tre’,” tha ai për televizionin Kanal 10, duke iu referuar mandatit të tretë.

Një vit paralize politike

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, me mbështetje të fortë nga SHBA-të, pas fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999 kundër forcave serbe. Megjithë mbështetjen ndërkombëtare, vendi me 1.6 milion banorë vazhdon të përballet me varfëri, paqëndrueshmëri politike dhe krim të organizuar. Mandati i parë i Kurtit ishte i vetmi rast kur një qeveri në Prishtinë përfundoi një mandat të plotë.

Këtë vit, paraliza politike u thellua kur deputetëve iu deshën 73 votime gjatë gjashtë muajve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit – një hap i domosdoshëm për formimin e qeverisë. Edhe më pas, Kurti nuk arriti të krijojë shumicën dhe ia kaloi mandatin aleatit të tij, Glauk Konjufca, i cili gjithashtu dështoi. Presidentja Vjosa Osmani më pas shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e dhjetorit.

“Për momentin, shteti nuk funksionon. Gjithçka duhet të ndryshojë sepse asgjë nuk po ecën,” tha Shaip Gashi, 79 vjeç nga Prishtina.

Kredi jetike të bllokuara

Ngërçi politik ka pasur pasoja të rënda financiare. Bashkimi Evropian kishte vendosur sanksione ndaj Kosovës, duke e akuzuar qeverinë Kurti për nxitje të tensioneve në veriun me shumicë serbe. BE pritet t’i heqë këto masa pas inaugurimit të kryetarëve serbë pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Megjithatë, rreth 880 milionë euro fonde të BE-së për buxhetin e Kosovës janë ende të bllokuara, ashtu si edhe 127 milionë euro mbështetje nga Banka Botërore, përfshirë fonde për shëndetësi dhe arsim. Banka Botërore paralajmëroi se 90 milionë euro do të humbasin nëse Kuvendi nuk i ratifikon deri më 13 shkurt, ndërsa afatet e tjera janë në prill dhe maj.

Edhe disa fonde të BE-së mund të rrezikohen nëse pas zgjedhjeve nuk formohet shpejt një parlament funksional.

“Njerëzit janë të dëshpëruar të shohin lëvizje përpara. Po luftojnë për të paguar ilaçet dhe energjinë elektrike,” tha Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila po bën fushatë me fokus në shëndetësi, arsim dhe rritje pagash.