Ministria e Drejtësisë mohon arrestimin e avokates Nexhmije Karaqi
Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas raportimeve të disa mediave që lidhnin avokaten shtetërore Nexhmije Karaqi me një aksion të Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në. Ministria sqaron se ky informacion është “plotësisht i pavërtetë, i pabazuar dhe i pa konfirmuar” dhe thekson se avokatja Karaqi “nuk është arrestuar, nuk është ndaluar, nuk…
Lajme
Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas raportimeve të disa mediave që lidhnin avokaten shtetërore Nexhmije Karaqi me një aksion të Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në.
Ministria sqaron se ky informacion është “plotësisht i pavërtetë, i pabazuar dhe i pa konfirmuar” dhe thekson se avokatja Karaqi “nuk është arrestuar, nuk është ndaluar, nuk është intervistuar dhe nuk është subjekt i asnjë procedure nga organet e drejtësisë”.
Sipas Ministrisë, publikimi i emrit dhe fotografive të saj “përbënë cenim të reputacionit, shkelje të së drejtës së personalitetit” dhe krijon konfuzion te publiku. Ministria ka kërkuar nga mediat që të bëjnë korrigjimin e menjëhershëm dhe të publikojnë këtë demant siç është publikuar edhe lajmi fillestar.
Ministria rithekson përkushtimin e saj për “transparencë dhe informim të saktë të opinionit publik”.
Njoftimi i plotë:
DEMANT DHE SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Në lidhje me raportimet e publikuara nga disa media në Kosovë, të cilat kanë informuar për një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ministria e Drejtësisë sqaron opinionin publik lidhur me një informacion të pasaktë që është shpërndarë për avokaten shtetërore Nexhmije Karaqi.
Disa media kanë raportuar gabimisht se në kuadër të këtij aksioni është arrestuar edhe avokatja Karaqi pjesë e Avokaturës Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Ky informacion është plotësisht i pavërtetë, i pabazuar dhe i pa konfirmuar nga vetë mediat. Pra bëhet fjalë për një identifikim të gabuar, të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme pa pasur konfirmim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë.
Avokatja Karaqi nuk është arrestuar, nuk është ndaluar, nuk është intervistuar dhe nuk është subjekt i asnjë procedure nga organet e drejtësisë dhe çdo përpjekje për ta lidhur emrin e saj me këtë aksion përbën dezinformim dhe raportim të pasaktë.
Publikimi i emrit dhe fotografive i avokates Karaqi pa konfirmim zyrtar përbënë cenim të reputacionit, shkelje të së drejtës së personalitetit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin civil në fuqi.
Raportimet e tilla jo të sakta po ashtu krijojnë konfuzion te publiku dhe dëmtojnë besimin në institucione dhe në informimin e drejtë.
Kërkojmë nga të gjitha mediat që kanë publikuar këtë informacion të pasaktë që të bëjnë korrigjimin e menjëhershëm të lajmit, të tërheqin emrin e avokates Karaqi nga raportimet e tyre dhe të publikojnë këtë demant, ashtu siç është publikuar edhe lajmi fillestar.
Ministria e Drejtësisë rithekson përkushtimin e saj për transparencë dhe informim të saktë të opinionit publik./lajmi.net/