BIK-u hap ekspozitën me fotografi “Kujtesa në fotografi- xhamitë e shkatërruara në Bosnje dhe Kosovë”
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) dhe Bashkësia Islame e Bosnje dhe Hercegovinës ka organizuar ekspozitën me fotografi “Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”. Në këtë ekspozitë u tha se gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë u shkatërruan…
Lajme
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) dhe Bashkësia Islame e Bosnje dhe Hercegovinës ka organizuar ekspozitën me fotografi “Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”.
Në këtë ekspozitë u tha se gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë u shkatërruan gjithsej 832 xhami. Nga ky numër, 218 xhami u shkatërruan në Kosovë, ndërsa 614 në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës është cilësuar si krim kundër njerëzimit.
Kurti theksoi se gjatë periudhës 98-99 janë shkatërruar 1 mijë e 788 monumente të trashëgimisë kulturore, grabitur mbi 3 mijë e 700 objekte muzeale dhe shkatërruar 175 biblioteka publike.
Sipas tij, kjo ekspozitë dokumenton qartë shkatërrimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore si pjesë e një strategjie për fshirjen e identitetit kulturor dhe historik të popullit shqiptar.
“Në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës, shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore gjatë kësaj lufte është cilësuar si krim kundër njerëzimit. Në fund të vitit 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të kërkuar drejtësinë për shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore. Një komision i përbërë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë ka dokumentuar zyrtarisht dëmet dhe humbjet, duke hapur rrugën për kërkesën tonë për drejtësi dhe kompensim. Në bazë të këtij raporti, në periudhën 1998–1999 janë shkatërruar 1 mijë e 788 monumente të trashëgimisë kulturore; janë grabitur mbi 3 mijë e 724 objekte muzeale dhe janë shkatërruar 175 biblioteka publike me mbi 1.7 milion libra… Kjo ekspozitë, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe e Bosnjë e Hercegovinës, ka një rëndësi të veçantë sepse dokumenton qartë dhe bindshëm shkatërrimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore si pjesë e një strategjie të qëllimshme për fshirjen e identitetit kulturor dhe historik të popullit tonë”, tha Kurti.
Ndërsa, myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërrnava shtoi se Serbia përveç dhunës, vrasjes, ekzekutimeve e dëbimeve, ndërmori edhe një fushatë të gjerë të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
Sipas tij, ata shkatërruan xhami me vlera të jashtëzakonshme historike, arkitektonike dhe identitare.
“Ne jemi dëshmitarë të asaj që ndodhi si në Bosnjë dhe Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë.. Në këtë ndërmarrje kriminale, e cila u krye nga fqinjët tanë, forcat serbe, përveç dhunës fizike, vrasjeve, ekzekutimeve, dëbimeve dhe shkatërrimit të jetës njerëzore, ndërmorën edhe një fushatë të gjerë të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare. Në kuadër të këtij projekti me përmasa gjenocidale, objektiva të veçanta u bënë edhe objektet fetare islame. Kështu, forcat serbe, me synimin për të fshirë çdo gjurmë të pranisë shqiptare në Kosovë dhe çdo gjurmë të pranisë boshnjake në Bosnjë dhe Hercegovinë, rrënuan dhe shkatërruan objekte sakrale dhe monumentale me vlera të jashtëzakonshme historike, arkitektonike dhe identitare”, tha Ternava.
E i dërguari i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës, Remzija Pitic shtoi se xhamitë u shkatërruan nga disa grupe për qëllim të shkatërrimit të simboleve më të fuqishme fetare.
“Ata armiq të së bukurës dhe të së mirës, veçanërisht në rajonet tona, e shkatërruan atë bukuri sa herë që nuk i penguam, si gjatë agresioneve dhe luftërave, ashtu edhe në paqe. Ne e dimë që xhamitë tona nuk u shkatërruan nga individë të dehur, disa grupe apo administrata për qëllime të ndryshme. Ne e dimë që ishte një pjesë integrale e sistemit, politika nga nivelet më të larta, me qëllim shkatërrimin e simboleve tona më të fuqishme”, shtoi ai.
Pas përfundimit të ekspozitës, Kryeministri në detyrë Albin Kurti është pyetur nga mediat se si ka parë tërheqjen e komunave veriore nga Asosacioni i Komunave të Kosovës, porse u njëjti nuk është përgjigjur./kp