Bisedat në Whatsapp, Rukiqi i LDK-së: Është krijuar një grup paralel – Të hetohen menjëherë të gjithë aferat, Kurti, Rizvanolli e Mihaili të japin përgjegjësi
Kandidati për deputet i LDK-së, Berat Rukiqi, sot në një konferencë për media, ka folur për bisedat në Whatsapp, mes Artane Rizvanollit, dejona Mihailit dhe Faruk Mujkës, me qëllim emërimin e këtij të fundit në pozitën e kryeshefit në ndërmarrjen publike Ibër Lepenci. Ai ka thënë se Kosova po përballet me aferën më të rëndë…
Lajme
Kandidati për deputet i LDK-së, Berat Rukiqi, sot në një konferencë për media, ka folur për bisedat në Whatsapp, mes Artane Rizvanollit, dejona Mihailit dhe Faruk Mujkës, me qëllim emërimin e këtij të fundit në pozitën e kryeshefit në ndërmarrjen publike Ibër Lepenci.
Ai ka thënë se Kosova po përballet me aferën më të rëndë të kapjes së shtetit, për të marr vendime për interes publik në grupe private të qefeve të ndryshme.
“Përmes këtyre grupeve joformale, është krijuar një grup paralel dhe kjo ka kriju pasoja për qeverisjen demokratike në vend, duke e shndërruar në qeverisje totalisht të kapjes së shtetit dhe jo të demokracisë funksionale. Shefi formal politik i kësaj qeverisje apo i kësaj forme të qeverisjes është Albin Kurti, ish kryeministri i vendit. Siç e kemi parë edhe në raste të tjera, duke pas parasysh aktakuzën dhe bisedat për ish-kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqit, në të gjitha këto grupe, në të gjitha këto komunikime ai është në dijeni të plotë dhe ka rol aktiv. Pra, asnjë strukturë e tillë parapolitike nuk mund të funksionoj pa dijeninë e tij politike dhe ligjore dhe penale”, ka thënë Rukiqi.
Ai ka thënë se Dejona Mihaili, si një person pa asnjë mandat ekzekutiv, merr vendime për ekonominë e vendit.
“Pra, të gjitha vendimet publike, për ndërmarrjet publike që janë jetike për ekonominë e vendit dhe për qytetarët, merren në kanale private komunikimi dhe jo në institucione. Të gjitha udhëzimet politike për kryeshef të ndryshëm, dhe ministra siç ishte rasti për Ministrinë e Ekonomisë, jepen jashtë procedurave ligjore dhe ndërmarrjet publike nuk kontrollohen nga publiku por kontrollohen nga partia. Militantë të VV-së, siç e kemi parë në shumicën e bordeve, janë ata që pozicionohen në pozita kyçe drejtuese në ndërmarrje publike. Kjo cenon barazinë në punësim dhe parimin e meritës, dhe njëherit është vepër e qartë penalë, prandaj vazhdojmë të kërkojmë siç kemi kërkuar 4 vite, aktivizim të organeve të rendit dhe të ligjit për të kërku përgjegjësi të plotë. Pra, hetim të plotë dhe dhënie të përgjegjësisë së plotë”, ka shtuar Rukqii.
Ai ka thënë se në vazhdën e kapjes së shtetit përmes një grupi parapolitik, duhet të theksohet edhe parimi i funksionimit me ushtrues detyre, për çka ka thënë se bëhet me qëllim të ushtrimit të shantazhit dhe përfitimeve për partinë në pushtet.
“Ajo që keni parë, edhe nga raportet e auditorit, në të gjitha ndërmarrjet publike, kemi joefikasitet, vetëm në një prej tyre ka opinion të pakualifikuar të auditorit, në katër të tjera ka opinion të kualifikuar me dëme materiale dhe në katër të tjera, opinion të kundërt me gjendje jashtëzakonisht serioze të keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimeve. Kjo vjen nga udhëheqja e një partie që ka premtu angazhim, transparencë dhe menaxhim më të mirë dhe ka përfundu në menaxhim partiak, parapolitik dhe asnjë lloj llogaridhënie apo transparence”, ka shtuar Rukiqi.
Ai ka përmendur edhe dyshimet për keqpërdorime në tregun energjetik.
“Nuk ndalet involvimi i grupit parapolitik vetëm në pjesën e ndërmarrjeve publike sa i përket pozicionimit të figurave që janë drejtorë apo anëtarë të bordeve, por kjo ka vazhdu edhe në një formë tjetër të keqpërdorimit të tregut të energjisë elektrike. Nuk dua t’i përseris të gjitha ato që janë thënë, por një treg i energjisë i varur nga importi, nga Vukhamoviç, kontrollohet nga njerëzit e VV-së, nga parapolitika e kësaj partie e cila pastaj neve po na përthehet në pasoja, fatura të fryera, humbje të besimit në qeverisje, humbje të besimit në shtet dhe mungesë të shpresës dhe dëmtim të interesit publik”, ka shtuar Rukiqi.
Ai ka kërkuar hetim të menjëhershëm të kësaj afere dhe të gjithë të tjerave.
“Kërkesë mediate e LDK-së, është hetimi i menjëhershëm penal i kësaj afere dhe të gjitha aferave të tjera. Mos të harrojmë, kjo është çka e kemi parë por kjo është praktikë, mendësi dhe kërkohet që të shihen të gjitha bisedat tjera, të merren me përgjegjësi kryeministri Kurti, ministrja e Ekonomisë dhe Dejona Mihaili, një person siç e thash me asnjë lloj funksioni zyrtar, por që kontrollon çdo proces me aprovimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ne nuk mund të flasim për një shtet ligjor dhe qeverisje demokratike, derisa ky pushtet të largohet me zgjedhjet demokratike të 28 dhjetorit, me një qeverisje që vendit i jep shpresë, me një qeverisje të udhëhequr nga LDK”, ka shtuar Rukiqi. /Lajmi.net/