Kurti takon zëvendëspresidentin e AM General, folën edhe për mundësinë për bashkëprodhim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, kanë pritur në takim Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të prodhuesit të njohur amerikan të industrisë ushtarake AM General, John Chadbourne dhe Drejtorin për Zhvillimin e Biznesit Ndërkombëtar në këtë kompani, Juan Hernandez. Ministria e Mbrojtjes dhe AM General, dje kanë nënshkruar…

Lajme

17/12/2025 15:47

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, kanë pritur në takim Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të prodhuesit të njohur amerikan të industrisë ushtarake AM General, John Chadbourne dhe Drejtorin për Zhvillimin e Biznesit Ndërkombëtar në këtë kompani, Juan Hernandez.

Ministria e Mbrojtjes dhe AM General, dje kanë nënshkruar kontratë kornizë për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS).

Në kontratë gjithashtu përfshihen pjesë rezervë, mirëmbajtja, si dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje. Përveç HUMVEE Hawkeye-ve, si pjesë e kësaj kontrate, FSK-ja do të pajiset gjithashtu me ambulanca, automjete për komandim dhe kontroll, si dhe automjete të tjera mbështetëse, të cilat mundësojnë funksionalizimin e një baterie të plotë artilerie dhe krijimin e kapaciteteve të zjarrit direkt dhe indirekt për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

 

“Kryeministri e cilësoi si hap shumë të rëndësishëm marrëveshjen e nënshkruar dje për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se këto sisteme të reja janë në kuadër të investimeve të vazhdueshme dhe në rritje, që janë bërë viteve të fundit në fushën e mbrojtjes, në bashkëpunim me vende partnere të Republikës së Kosovës dhe anëtare të NATO-s. Zëvendëspresidenti Ekzekutiv, Chadbourne u shpreh i lumtur për arritjen e marrëveshjes për furnizimin e FSK-së me HUMVEE Hawkeye, duke e cilësuar atë si dëshmi të angazhimit të tyre për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake”, ka njoftuar ZKM.

 

Bashkë diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, duke përfshirë këtu edhe mundësinë për bashkëprodhim.