Refuzoi Marseillen për Realin, por përfundoi në stol

Pavarësisht interesimit serioz të Olympique de Marseille gjatë afatit kalimtar të verës, Dani Ceballos vendosi të qëndrojë te Real Madridi, duke shpresuar se do të fitonte një rol më të rëndësishëm nën drejtimin e Xabi Alonsos. Mesfushori spanjoll, i cili ka kontratë me “Los Blancos” deri në vitin 2027, besoi se mungesat në fillim të…

Sport

17/12/2025 09:32

Pavarësisht interesimit serioz të Olympique de Marseille gjatë afatit kalimtar të verës, Dani Ceballos vendosi të qëndrojë te Real Madridi, duke shpresuar se do të fitonte një rol më të rëndësishëm nën drejtimin e Xabi Alonsos.

Mesfushori spanjoll, i cili ka kontratë me “Los Blancos” deri në vitin 2027, besoi se mungesat në fillim të sezonit do t’i hapnin më shumë hapësira në formacion.

Ceballos është pjesë e Real Madridit që nga viti 2017 dhe, përveç huazimit te Arsenali mes viteve 2019 dhe 2021, ka qenë vazhdimisht në klub, duke fituar 16 trofe.

Megjithatë, pavarësisht përvojës dhe momenteve pozitive në disa sezone, ai ka pasur shpesh rol dytësor dhe është përballur me konkurrencë të fortë në repartin e mesfushës.

Në fillim të këtij sezoni, ai u aktivizua në 7 nga 10 ndeshjet e para, katër prej tyre si titullar, duke përfituar nga mungesat e Jude Bellingham dhe Eduardo Camavinga.

Me rikthimin e lojtarëve kryesorë, situata ndryshoi shpejt dhe minutat e tij në fushë u reduktuan ndjeshëm, deri në pikën që nuk ka luajtur në katër ndeshjet e fundit të kampionatit.

Xabi Alonso ka sqaruar se mungesa e Ceballos lidhet me zgjedhje taktike, duke theksuar se ai mbetet pjesë e planeve të skuadrës.

Megjithatë, konkurrenca nga emra si Aurelien Tchouameni, Federico Valverde, Bellingham, Camavinga dhe Arda Guler e ka lënë mesfushorin në hije.

Deri në këtë fazë të sezonit, Ceballos ka grumbulluar vetëm 560 minuta në 13 ndeshje, një bilanc që vështirë se premton ndryshim të madh në të ardhmen e afërt.

Në këto kushte, e ardhmja e tij te Real Madridi mbetet e paqartë dhe një largim i mundshëm në një afat kalimtar të ardhshëm nuk përjashtohet.