Osmani flet për Pecin, thotë se njihen prej nga fëmijëria: Jam e bindur për shumë suksese, duke e ditur vullnetin e seriozitetin për punë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës, në ditën e parë të punës së kryetarit të ri të kësaj Komune, Faton Pecit, i cili u betua të premtën. Osmani e ka uruar Pecin për këtë detyrë, duke thënë se është besimplotë që do t’ia del ai dhe ekipi i tij…

Lajme

15/12/2025 11:23

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës, në ditën e parë të punës së kryetarit të ri të kësaj Komune, Faton Pecit, i cili u betua të premtën.

Osmani e ka uruar Pecin për këtë detyrë, duke thënë se është besimplotë që do t’ia del ai dhe ekipi i tij që për të gjithë qytetarët e Mitrovicë të sjellin sa më shumë perspektivë dhe më shumë projekte, zhvillim e shpresë.

Meqë Osmani vjen nga Mitrovica gjithashtu, ka thënë se me Pecin njihen shumë moti.

“Ne me Fatonin njihemi që një kohë të gjatë, prej kur ishim fëmijë. Kemi shkuar në shkollë bashkë, jemi rrit në Mitrovicë, i njohim për se afërmi problemetme të cilat ballafaqohet ky qytet dhe natyrisht ato janë të shumta. Por, kam besimin e plotë se gradualisht do të rregullohen edhe me angazhimin e kryetarit dhe ekipit të tij, por edhe me përkrahjen tonë nga niveli qendror sepse qytetarët  e Mitrovicës meritojnë çdo të mirë. ata për kundër të gjitha sfidave që janë ballafaquar, jo vetëm në vitet e 90-ta por fatkeqësisht edhe pas luftës, meritojnë që tanimë të iu hapet rruga e perspketivës dhe rruga e zhvillimit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Mitrovica ka potencial të jashtëzakonshëm.

“Siç e përmendi kryetari, jo vetëm për shkak të bukurive natyrore që ia ka fal Zoti, por edhe për shkak të traditës që e ka, për shkak të potencialit që e kanë njerezit e Mitrovicës në çdo fushë por edhe për shkak të historisë që e ka. Tani, sidomos gjeneratat e reja presin që të ecin përpara, të zhvillohen, të krijohen vende të reja të punës me perspektivë, dhe natyrisht që edhe bukuria edhe hjeshia që i takon Mitrovicës, të jetë aty për t’u parë jo vetëm nga qytetarët  eMitrovicës, por edhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo i ka uruar shumë suksese kryetarit të ri, duke qenë shumë e bindur se ashtu do të jetë.

“I uroj shumë suksese kryetarit, jam e bindur se ashtu do të jetë, duke e ditur vullnetin me të cilën punon dhe seriozitetin me të cilën e merr secilën punë, dhe njëkohësisht jam e bindur që edhe nga aspekti politik duke e ditur rëndësinë e Mitrovicës dhe krejt kësaj pjese për shtetin tonë, do të bashkëpunojmë sa më shumë të jetë  emundur në mënyrë që të vazhdojmë të ruajmë sovranitetin e Kosovës, ta ruajmë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve, dhe vetë trashëgimia kulturore ilire që shihet kudo në pjesët veriore sado të largëta brenda territorit tonë është dëshmia më e madhe e kësaj”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se do të diskutoj me Pecin për kujdesin ndaj fëmijëve dhe grupeve që kanë më së shumti nevojë.

“Siç e dini këto kanë qenë edhe synimet tona si Presidencë, sepse suksesi i një shteti matet nga ajo se sa tregon kujdes në raport me ata që kanë më së shumti nevojë. Urime edhe njëherë kryetar, jue dhe qytetarëve të Mitrovicës, dhe do të na keni në krah si gjithmonë në përkrahje që është në interes të qytetarëve”, ka shtuar Osmani. /Lajmi.net/