KQZ refuzon akreditimin e IKD-së monitorimin e zgjedhjeve
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar pas refuzimit të kërkesës së tij për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke e cilësuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si arbitrar, të paarsyetuar dhe në kundërshtim me ligjin. Sipas IKD-së, njoftimi i pranuar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin…
Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar pas refuzimit të kërkesës së tij për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke e cilësuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si arbitrar, të paarsyetuar dhe në kundërshtim me ligjin.
Sipas IKD-së, njoftimi i pranuar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike nuk përmban asnjë arsyetim të qartë ligjor, duke pamundësuar verifikimin e bazës së vendimit dhe duke mohuar të drejtën për ushtrim të mjeteve juridike. Organizata thotë se ky veprim shkel parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtës për mbrojtje juridike, duke krijuar hapësirë për arbitraritet dhe politizim, raporton lajmi.net
IKD vlerëson se mohimi i akreditimit prek drejtpërdrejt rolin e organizatave të shoqërisë civile në monitorimin e proceseve zgjedhore, një praktikë e pranuar ndërkombëtarisht. Sipas tyre, pretendimi se IKD “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është i pabazuar dhe devijon nga fryma e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke injoruar mandatin e organizatës për promovimin e sundimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies.
Organizata kritikon edhe interpretimin e KQZ-së mbi rolin e OJQ-ve, duke e quajtur atë të ngushtë, formal dhe në kundërshtim me praktikat e OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Evropës dhe standardet e demokracive perëndimore. “Të drejtat e njeriut nuk kufizohen vetëm në terminologji. Punës së IKD-së i takojnë shumë komponentë që lidhen me integritetin e proceseve demokratike,” thuhet në reagim.
IKD thekson se Zyra për Regjistrim nuk ka mandat të refuzojë vetë një aplikim, por vetëm të rekomandojë KQZ-në, duke e cilësuar njoftimin e pranuar si tejkalim të kompetencave dhe shkelje të Rregullores Zgjedhore Nr. 08/2024.
Instituti paralajmëron se do të ndjekë të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për të kundërshtuar vendimin, me synimin që të mbrojë jo vetëm të drejtën e tij për monitorim, por edhe rolin e organizatave të shoqërisë civile në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Në fund, IKD i bën thirrje KQZ-së që të rishikojë vendimin, të forcojë profesionalizmin dhe të shmangë praktikat që, sipas tyre, bien ndesh me standardet ligjore dhe demokratike të vendit./Lajmi.net/