Shefi i Ushtrisë së Serbisë me ankesa qesharake për komandantin e KFOR-it: Armatosja e FSK-së provokuese dhe e dëmshme për paqen – të mbrohen serbët në Kosovë
Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një takim në Beograd me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, gjatë të cilit ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Mojsilloviq ka vlerësuar se situata në terren mbetet “shumë e ndjeshme” dhe ka kërkuar që KFOR-i të…
Lajme
Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një takim në Beograd me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, gjatë të cilit ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Mojsilloviq ka vlerësuar se situata në terren mbetet “shumë e ndjeshme” dhe ka kërkuar që KFOR-i të vazhdojë aktivitetet dhe komunikimin e rregullt me ushtrinë serbe, transmeton lajmi.net.
Mojsilloviq ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj armatosjes dhe stërvitjeve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, duke i cilësuar ato si “provokuese” dhe të dëmshme për paqen. Pretendime të tilla janë bërë shpesh nga autoritetet serbe, pavarësisht se FSK-ja operon në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë takimit, palët diskutuan për masat e monitorimit të situatës, parandalimin e tensioneve dhe ruajtjen e stabilitetit në terren.
Megjithatë, Mojsilloviq ka përdorur sërish narrativat politike të Beogradit, duke i quajtur “lëvizje të njëanshme” veprimet e institucioneve të Kosovës dhe duke i përshkruar ato si rrezik për sigurinë në rajon. Ai ka kërkuar nga komandanti i KFOR-it që të marrë masa për “mbrojtjen e serbëve në Kosovë”, ndonëse pikërisht grupet serbe kanë qenë përgjegjëse për disa nga sulmet më të rënda ndaj trupave të KFOR-it, ku në një rast janë plagosur 93 pjesëtarë ndërkombëtarë.
KFOR-i mbetet mision paqeruajtës i NATO-s dhe ka theksuar vazhdimisht se vepron në mënyrë neutrale dhe në përputhje me mandatin e tij për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë./lajmi.net/