Duda Balje për motrën e Kadaj-Bujupit që po tenton të bëhet kandidate në listën e koalicionit VAKAT: Për neve boshnjakët, ajo është person i panjohur
Një skandal ka plasur ditët e fundit sa i përket kandidimit tek komuniteti boshnjak. Koalicioni VAKAT është duke tentuar që ta fus në listë Ena Kadën, motrën e Donika Kadaj-Bujupit, transmeton lajmi.net. Kjo po shihet si një lëvizje komploti për ta larguar nga Kuvendi i Kosovës ish-deputeten e njohur nga ky komunitet, Duda Balje. Donika…
Lajme
Një skandal ka plasur ditët e fundit sa i përket kandidimit tek komuniteti boshnjak.
Koalicioni VAKAT është duke tentuar që ta fus në listë Ena Kadën, motrën e Donika Kadaj-Bujupit, transmeton lajmi.net.
Kjo po shihet si një lëvizje komploti për ta larguar nga Kuvendi i Kosovës ish-deputeten e njohur nga ky komunitet, Duda Balje.
Donika Kadaj-Bujupi është këshilltare e presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Në një prononcim për lajmi.net, Balje tha se nuk është hera e parë që koalicioni VAKAT po tenton të manipuloj me ulëset e rezervuara për komunitetin boshnjak.
“Koalicioni VAKAT nuk është hera e parë që po tentojnë të manipulojnë me vendet e rezervuara të boshnjakëve. Në zgjedhjet e vitit 2021, ata kanë pasur shumë vota në komunat e serbëve ku nuk ka asnjë boshnjakë dhe pastaj Gjykata Supreme i ka anuluar këto vota. Prova e parë për me manipulu me vota në komunat ku ka shumicë serbe, është praktikisht deja-vu, por me mënyrë pak më ndryshe. Veç e kemi prit se çka munden me bo.”, tha ajo fillimisht.
Tutje, Balje tha se nuk e njeh personalisht motrën e Kadaj-Bujupit, por se ajo asnjëherë nuk është deklaruar boshnjake dhe se nuk i di problemet e këtij komuniteti.
“Unë personalisht Enën nuk e njoh, unë vetëm politikisht, aq sa kemi marr informacion, aq sa kemi hulumtu, Ena asnjëherë nuk ka fol gjuhën boshnjake, asnjëherë nuk e ka deklaruar vetën si boshnjake, nuk ka reagu në asnjë problem të boshnjakëve, nuk ka qenë prezent as për të mirë as për të keq. Nuk ka shkuar në vendet ku boshnjakët jetojnë. Nuk e besoj se di ndonjë problem të boshnjakëve këtu. Fakti që ka lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe fakti që nënën e ka nga atje, nuk janë të mjaftueshme edhe me Kushtetutën e Kosovës që me u deklaru si një nacionalitet.”, shtoi ajo.
Balje u shpreh se dyshon që VAKAT ka bërë ndonjë vërtetim për Ena Kadën.
“Unë dyshoj se Koalicioni VAKAT ka bërë ndonjë vërtetim se është boshnjake dhe ky vërtetim nuk mundet me qenë më i vjetër se disa ditë. Kur ka apliku, e ka nxjerr një deklarim se është boshnjake, por këtu është vetëm një manipulim.”, tha ish-deputetja.
Ajo e sheh si precedent të rrezikshëm nëse lejohet Ena Kada të garoj në një parti të komuniteteve.
“Paramendo nëse kjo lejohet, nesër secilin prej komuniteve, jo vetëm boshnjak, a mundemi me parapa se çfarë problemi është këtu? Do të thotë, unë me një deklaratë, disa ditë para zgjedhjeve, mundem me shkru vetën si romë, ashkali, egjiptian apo si turk, edhe me votat e dikujt tjetër me fitu një vend në Kuvend. Këtu është vrasje e politikës multietnike në Kosovë.”, u shpreh ajo.
Ish-deputetja tha se ajo edhe partia e saj kanë mbledhur disa prova për angazhimin politik të Ena Kadës. Balje shtoi se motra e Enës, Donika Kadaj-Bujupi ka bërë fiskulturë politike. Po ashtu tha se nëse certifikohet Ena Kada, do të ankohen dhe do të dërgojnë letër tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Ne kemi mbledh disa prova, për angazhimin politik të znj.Ena, pa marrë parasysh se Donika ka qenë në partitë politike shqiptare, nga AAK, pastaj në VV, pastaj përsëri në AAK, këto fiskultura politike të pasuksesshme. I kemi nxjerr disa fakte për angazhimin politik të znj.Ena, tash jemi duke prit certifikimin, edhe nëse ndodh certifikimi, ne do të bëjmë ankesë, edhe kemi me e dërgu një letër tek presidentja Vjosa Osmani, edhe unë shpresoj që ajo të shfrytëzoj fuqinë që e ka, edhe respektimi i Pakos së Ahtisaarit, Kushtetutës, pa marrë parasysh që Donika është këshilltare, unë besoj që presidentja do të ndërmarr një hap në përputhje me ligjet. Me qenë boshnjak nuk është e mjaftueshme që vetëm nënë ta kesh nga Bosnja, është një stil i jetës, është një luftë, është një krenari. Për neve boshnjakët, znj.Ena është person i panjohur, askush na ne nuk ka dëgjuar se ka boshnjake Ena. Kam komunikuar me të gjitha partitë e komuniteteve në Kosovë dhe jemi në mendimin e njëjtë. Si precedent do të ishte shumë i keq. Unë besoj që edhe PZAP do të reagoj në mënyrën e njëjtë.”, përfundoi ajo./lajmi.net/