Si erdhi Kosova tek zgjedhjet e reja të 28 dhjetorit? Viti 2025, vit bllokadash, dështimesh dhe përplasjesh politike
Viti 2025 ka qenë një vit që e ka vënë demokracinë e Kosovës në provën më serioze të pasluftës. Nga zgjedhjet e 9 shkurtit e deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja për 28 dhjetor, vendi përjetoi një ngërç të paprecedent politik, të shoqëruar me 57 tentime të Kuvendit për t’u konstituuar, dy mandatime të…
Lajme
Viti 2025 ka qenë një vit që e ka vënë demokracinë e Kosovës në provën më serioze të pasluftës. Nga zgjedhjet e 9 shkurtit e deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja për 28 dhjetor, vendi përjetoi një ngërç të paprecedent politik, të shoqëruar me 57 tentime të Kuvendit për t’u konstituuar, dy mandatime të dështuara për kryeministër dhe një bllokim të plotë institucional.
9 Shkurti: Zgjedhjet që nuk sollën shumicë
Zgjedhjet e parakohshme të 9 shkurtit prodhuan një hartë të re politike:
LVV doli forca e parë, por pa 61 vota.
LDK u rrit dukshëm si forca e dytë.
PDK ruajti bazën e saj.
AAK, Nisma dhe partitë e komuniteteve siguruan numrat e tyre minimalë.
Qysh nga dita e parë, u kuptua se formimi i qeverisë do të ishte i vështirë, sepse asnjë kombinim nuk siguronte shumicë pa pëlqimin e njërit prej tre partive të mëdha, shkruan lajmi.net.
LDK refuzoi takimin me LVV-në — s’ka koalicion, s’ka diskutim
Ndryshe nga pritjet fillestare, LDK deklaroi publikisht se nuk hyn në negociata me LVV-në.
LDK e bëri të qartë se:
nuk pranon takim,
nuk hap biseda për koalicion,
nuk voton asnjë të propozuar nga LVV-ja.
Dhe ky ishte momenti kur u kuptua se:
Shumica parlamentare ishte praktikisht e pamundur.
Lumir Abdixhiku kreu i LDK-së, propozoi qeveri të tranzicionit
6 maj 2025– Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se partia e tij nuk e pranon ftesën e Vetëvendosjes për koalicion. Por, LDK ka propozuar qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare.
“Kam marrë një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, zoti Albin Kurti dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, qytetarët e Republikës së Kosovës, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet që janë ngritur mbi atë letër. LDK-ja siç e dini në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ka garu me një program të qartë dhe me qëndrime të qarta sa i takon bashkëpunimit politik. LDK-ja për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4-vjeçar të vendit- të katër viteve të shkuara, e kam fjalën për rrezikimin e aleancave strategjike, rrezikimin e sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, mosrepsktimin e vendimeve të këtyre institucioneve dhe mbi të gjitha polarizimin e thellë shoqëror, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe zotin Kurti”, kishte deklaruar Abdixhiku në një konferencë për medie.
Por, ai shtonte se vendi ishte në krizë të thellë institucionale dhe kjo sipas tij kryesisht për shkak të dështimit të partisë së parë që të krijojë partneritete politike.
“Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme të rëndësisë nacionale për Republikën e Kosovës. Dhe në përputhje me këtë, LDK-ja dhe unë si kryetar i saj, propozojmë nisjen e një procesi të ri politik dhe kjo zgjidhje kërkon edhe përgjegjshmëri edhe unitet, por mbi të gjitha edhe vetëdije të lartë politike në vend. Dhe në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi fillimisht konsultativ me të gjitha partitë shqiptare me qëllim formimin e qeverisë nacionale të tranzicionit”, kishte deklaruar ai.
Ai tha se LDK-ja kërkon unitet gjithë shqiptar në këtë periudhë dhe formimin e qeverisë nacionale të tranzicionit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Për këtë, Abdixhiku ka thënë se është i gatshëm për takime me liderë partiakë të ndihmojë në këtë proces. Tha se janë njoftuar edhe liderët tjerë.
Mirëpo krejt kjo erdhi pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, një ditë më parë përmes një letre e kishte ftuar Lumir Abdixhikun për takim për të diskutuar për një marrëveshje për koalicion.
Prill – gusht: Saga e 57 seancave të dështuara për konstituimin e Kuvendit
Kuvendi i Kosovës, për herë të parë u thirr nga Presidentja më 15 prill. Që nga ajo ditë e deri më 24 gusht, u mbajtën: 57 seanca/verifikime tentimi dhe asnjëra nuk arriti të zgjedhë kryetarin e Kuvendit. Në këto 57 përpjekje ndodhi gjithçka: herë munguan deputetët e LVV-së, herë të PDK-së; LDK mblidhej në sallë, por votonte kundër secilit propozim të LVV-së; partitë e vogla luanin me kuorum për të fituar peshë politike; ndërprerje seancash, mungesë kuorumi, mosmarrëveshje te rendi i ditës.
Seancat u bënë simboli i krizës: Kuvendi ekzistonte, deputetët ishin aty, por institucioni nuk po formohej plotësisht.
Tentimi i 58-të: Kuvendi konstituohet, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke marrë 73 vota, me këtë rast u zgjodhën edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala.
Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.
Deputetët refuzuan ta votonin kandidatin e Listës Serbe – partia serbe e mbështetur nga Beogradi dhe më e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me 9 vende.
Për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq për nënkryetar, kryeparlamentari i sapozgjedhur i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
As Rashiq nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, por edhe kësaj radhe nuk funksionoi.
26 tetor 2025 – Tentativa për formimin e qeverisë nga mandatari Albin Kurti
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, dështoi t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Për të votuan vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës, votuan kundër dhe katër vota ishin abstenim. Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditëve do të vendoste se kujt do t’ia jap mandatin për formimin e Qeverisë, sipas procedurës së njëjtë.
Ndërkohë, që Gjykata Kushtetuese ishte ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende ishte e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituuar Kuvendin.
Pas dështimit të parë, LVV “rrezikon”, në tentativën e dytë me ish-deputetin Glauk Konjufca, i cili mandatohet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.
Në një konferencë për media, Osmani tha se zhvilloi takime edhe me krerët e partive të tjera më të mëdha, të cilët i thanë se nuk dëshirojnë të propozojnë mandatar.
Ajo aso kohe tha se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.
Kësisoj sipas Osmanit, në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thuhet se nëse pas dy tentimeve nuk zgjidhet Qeveria e Kosovës, “atëherë shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”.
“Është interes i qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëhen çdo përpjekje të mundshme që të krijohen, që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në të mirë të qytetarëve”, kishte thënë Osmani, duke përmendur votimin e zgjatjeve buxhetore apo edhe të një buxheti të ri për vitin 2026, si dhe nevojën për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Më 19 nëntor, pas po thuajse 2 javësh, u thirr seanca e radhës ku mandatari për kryeministër, i propozuar nga Presidentja Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dështoi të marrë votat e mjaftueshme nga deputetët për Qeverinë e re.
Me 56 vota për, 53 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi dështoi të zgjedh Qeverinë e re, shkruan lajmi.net.
LDK përsëriti se nuk voton asnjë kandidat të LVV-së. PDK tha se “Kosova ka nevojë për zgjedhje, jo për improvizime”. AAK mbeti neutrale pa marrëveshje të shkruar. Komunitetet nuk e votuan pa shumicë të sigurt.
Kësisoj me dy mandatime të dështuara, vendi ka hyrë automatikisht në zgjedhje.
Shpallja e zgjedhjeve të reja: 28 dhjetor 2025
Pas shterimit të të gjitha procedurave kushtetuese, Presidentja njoftoi: Zgjedhjet e reja do të mbahen më 28 dhjetor. Kjo datë shënon: zgjedhjet e dyta brenda vitit, mbylljen e bllokadës 11-mujore, fundin e vitit më të tensionuar politik të Kosovës.
Pse dështoi gjithçka? Figurat kryesore:
LDK – nuk pranoi negociata dhe nuk pranoi votim të kandidatëve të LVV-së. Qëndrim strikt dhe i pandryshuar deri në fund.
PDK – kërkonte zgjedhje të reja si zgjidhje të vetme.
LVV – nguli këmbë për Kryeministër nga radha e saj dhe propozoi kandidatë pa mbështetje të mjaftueshme.
AAK – sikurse PDK, kërkonte zgjedhje të reja.
Komunitetet – kërkonin qartësi të shumicës para votimit.
Ndërsa Nisma – kërkonte postin e kryekuvendarit por nuk iu “bë e mundur”, anipse i pari i kësaj partie Fatmir Limaj, ishte takuar me Albin Kurtin, por pa ndonjë marrëveshje.
Përfundimi: Viti 2025, viti i një bllokade historike Kosova hyri në vitin 2025 me shpresë për stabilitet, por: 57 seanca të dështuara, 2 mandatime të dështuara, asnjë marrëveshje koalicioni, një Kuvend i paralizuar, një qeveri pa legjitimitet të ri, e çuan vendin në zgjedhje të reja. Ky vit do të mbahet mend si viti më i vështirë politik që nga shpallja e pavarësisë.
Mosvotimi i buxhetit në rrezik stabiliteti financiar:
Kosova hyri në zgjedhje me financim të kufizuar. Kosova po hyn në një periudhë të ndjeshme politike dhe financiare, pasi mosvotimi i buxhetit të vitit 2026 ka krijuar një situatë të pazakontë: vendi do të funksionojë vetëm me 50% të buxhetit, ndërkohë që ka hyrë zyrtarisht në proces zgjedhor.
Sipas legjislacionit aktual, kur një qeveri shkon në zgjedhje pa buxhet të miratuar, vendi financohet me buxhetin e vitit paraprak, por vetëm deri në gjysmën e tij, deri në momentin që Kuvendi i ri e voton buxhetin e ri. Kjo do të thotë se shpenzimet e shtetit kufizohen vetëm për funksione bazike.
Projektet kapitale mbesin të ngrira, nga infrastruktura deri te investimet komunale. Institucionet publike mund të përballen me mungesë fondesh për shërbime të caktuara. Komunat nuk mund të nisin projekte të reja dhe varen vetëm nga pagesat minimale operative. Kontratat e reja, investimet dhe grantet shtesë nuk mund të procedohen. Rrezikohen subvencionet dhe programet që kërkojnë planifikim vjetor.
Si funksionon shteti me 1/2 të buxhetit?
Pagat, pensionet dhe asistenca sociale vazhdojnë normalisht, sepse konsiderohen obligime të garantuara. Shpenzimet e përditshme të institucioneve lejohen vetëm në nivelin e gjysmës së vitit të kaluar. Ministritë dhe komunat nuk mund të fillojnë projekte të reja, vetëm të përfundojnë ato të kontraktuara më herët. Çdo vendim që ka ndikim buxhetor shtyhet deri pas zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë së re.
Pse u krijua kjo situatë?
Mosmarrëveshjet në Kuvend dhe prishja e raporteve mes partive politike kanë bërë që buxheti të mos vijë fare në votim, duke e lënë shtetin pa dokumentin kryesor financiar të vitit. Kjo e vendos Kosovën në një pozitë të brishtë, veçanërisht në periudhë zgjedhore, kur stabiliteti është i domosdoshëm.
Viti 2026 në Kosovë nis me përfundimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, rezultate tanimë të ditura por me shumë pikëpyetje nëse institucionet do formohen.
Verdikti i qytetarëve pas një viti bllokade: rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Pas një viti të tërë ngërçi institucional, ku Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej për muaj të tërë dhe dy tentativa për formimin e Qeverisë dështuan, zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit u panë si mekanizmi i fundit demokratik për zhbllokimin e situatës politike.
Ndryshe nga përplasjet parlamentare që karakterizuan periudhën prill–nëntor, këtë herë vendimi kaloi drejtpërdrejt te qytetarët.
Teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se janë numëruar të gjitha 2,557 kutitë e votimit, duke përfshirë votat brenda Kosovës, ndërsa procesi i votave me kusht, i diasporës dhe i personave me nevoja të veçanta mbetet për certifikimin përfundimtar, pa pritur ndryshime thelbësore në renditjen politike.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së:
-
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë fituese me 49.34% të votave, duke siguruar rreth 433,394 vota.
-
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 20.98% ose 184,318 vota.
-
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.57%, përkatësisht 119,201 vota.
-
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.66% ose 49,698 vota.
-
Lista Serbe ka marrë 4.81% të votave në nivel vendi.
Bazuar në këto rezultate, shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës pritet të jetë si vijon:
-
LVV – 56 ulëse
-
PDK – 23 ulëse
-
LDK – 15 ulëse
-
AAK – 6 ulëse
-
Lista Serbe – 10 ulëse (vende të garantuara për komunitetin serb)
Rezultatet përfundimtare do të certifikohen pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht, por sipas KQZ-së, nuk pritet ndryshim në raportin e forcave politike.
Menjëherë pas publikimit të rezultateve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren duke e cilësuar këtë rezultat si “fitoren më të madhe në historinë e vendit”, duke theksuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit përbëjnë një konfirmim të vullnetit qytetar pas një viti bllokade politike.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi rezultatin si zhgënjyes për partinë e tij, duke paralajmëruar reflektim të thellë politik dhe thirrjen e Kuvendit të partisë, pa përjashtuar edhe mundësinë e dorëheqjes.
Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së për formimin e shumicës parlamentare, ndërsa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se e kanë ruajtur elektoratin e votës së tyre, por se për mos-rritje të votës ka thënë se do të marrë përgjegjësi. /Lajmi.net/