Nis në Kosovë projekti “FIFA Arena”, ky është qëllimi i tij

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar fillimin e projektit “FIFA Arena” në Komunën e Prishtinës, një donacion i çmuar nga FIFA që synon masovizimin e futbollit dhe krijimin e mundësive të reja për fëmijët. Sipas Ademit, dy shkollat e para që përfitojnë nga ky projekt janë “Gjergj Fishta” dhe “Hasan…

Sport

08/12/2025 17:09

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar fillimin e projektit “FIFA Arena” në Komunën e Prishtinës, një donacion i çmuar nga FIFA që synon masovizimin e futbollit dhe krijimin e mundësive të reja për fëmijët.

Sipas Ademit, dy shkollat e para që përfitojnë nga ky projekt janë “Gjergj Fishta” dhe “Hasan Prishtina”. Këto fusha moderne sportive do të jenë në shërbim të nxënësve dhe komunitetit përreth, duke krijuar hapësira cilësore për lojë, aktivitet fizik dhe zhvillim të talenteve të reja. Njëra fushë tashmë është përfunduar, ndërsa tjetra pritet të përfundojë brenda kësaj jave. Instalimi dhe furnizimi i të dyja fushave është realizuar plotësisht nga FIFA, në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës.

Agim Ademi ka theksuar se projekti do të zgjerohet edhe në shtatë regjionet e tjera të vendit, duke ofruar mundësi për më shumë fëmijë dhe komunitete që të luajnë futboll dhe të zhvillojnë talentet e tyre. Trajnerët e FFK-së do të jenë të pranishëm në këto fusha për të identifikuar dhe orientuar talentet e reja drejt klubeve dhe shkollave të futbollit.