KQZ mban sot mbledhjen e radhës, në fokus votimi nga jashtë, shorti për renditjen e partive dhe zëvendësimet nëpër komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot (e shtunë, 6 dhjetor 2025) në ora 18:00 mbledhjen e radhës, ku pritet të shqyrtohen disa çështje të rëndësishme për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit. Mbledhja do të hapet nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ndërsa në rend dite është paraparë diskutimi dhe miratimi i ndryshim–plotësimit të pikës nr.…

Lajme

06/12/2025 14:28

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot (e shtunë, 6 dhjetor 2025) në ora 18:00 mbledhjen e radhës, ku pritet të shqyrtohen disa çështje të rëndësishme për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

Mbledhja do të hapet nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ndërsa në rend dite është paraparë diskutimi dhe miratimi i ndryshim–plotësimit të pikës nr. 7 të vendimit të KQZ-së të datës 21 nëntor 2025, që lidhet me tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, transmeton lajmi.net.

Në kuadër të Këshillit për Operacione Zgjedhore, KQZ do të shqyrtojë opsionet dhe afatet për votimin përmes postës nga diaspora, si dhe dokumentin me kërkesat dhe specifikimet për kontraktimin e shërbimeve postare për votimin jashtë Kosovës.

Po ashtu, Këshilli për Çështje Ligjore do të trajtojë dhe miratojë kërkesat për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale në Prishtinë, Prizren, Kaçanik, Istog dhe Zveçan.

Në fund të mbledhjes parashihet edhe pika “Të ndryshme”./lajmi.net/