Abelard Tahiri befason këndshëm: Refuzon pozicionin e privilegjuar në listën zgjedhore të PDK-së

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar sot se i ka kërkuar kryetarit të partisë, Bedri Hamzës, që të mos jetë pjesë e dhjetëshes së parë në listën garuese për Kuvendin e Kosovës. Tahiri tha se vendimi është marrë me mirëkuptim dhe me bindjen se është veprim i duhur, duke theksuar se është koha që…

Lajme

06/12/2025 13:23

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar sot se i ka kërkuar kryetarit të partisë, Bedri Hamzës, që të mos jetë pjesë e dhjetëshes së parë në listën garuese për Kuvendin e Kosovës.

Tahiri tha se vendimi është marrë me mirëkuptim dhe me bindjen se është veprim i duhur, duke theksuar se është koha që të hapet rruga për kandidatë të rinj.

Ai rikujtoi përvojën e tij shumëvjeçare në institucionet shtetërore, ku ka shërbyer si këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi për 9 vite, gati 3 vite Ministër i Drejtësisë dhe pesë vite Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Numrat nuk trashëgohen dhe nuk i kemi me tapi. Ne që kemi përvojë duhet t’i ndihmojmë kolegët e rinj që të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm”, u shpreh ai, duke theksuar se megjithatë do të mbetet pjesë e listës së kandidatëve të PDK-së, por jo në pozitat e para si në zgjedhjet e kaluara.

Tahiri përfundoi postimin e tij me mbështetje për kandidatin për kryeministër të PDK-së, Bedri Hamzën.

Postimi i plotë: 

Të dashur qytetarë,
Sot, me mirëkuptim, por edhe me bindjen e thellë se është veprim i duhur, i kam kërkuar Kryetarit të Partisë, Bedri Hamzës, që të mos më përfshijë në dhjetëshen e parë të listës garuese për Kuvendin e Kosovës nga PDK.
Gjatë gjithë këtyre viteve kam mbajtur pozita të rëndësishme në institucionet e Republikës së Kosovës, 9 vite si këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi në Qeveri dhe në Presidencë, gati 3 vite Ministër i Drejtësisë, si dhe 5 vite Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, dy herë i emëruar në këtë detyrë.
Besoj se secili prej nesh duhet të reflektojë. Numrat nuk trashëgohen dhe nuk i kemi me tapi, përkundrazi, ne që kemi përvojë duhet t’i ndihmojmë kolegët tanë të rinj që të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm të Kosovës. Prandaj, unë do të jem pjesë e listës, por jo pjesë e dhjetëshes së parë, siç isha në zgjedhjet e fundit.
Na priftë e mbara me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Bedri Hamzën!/lajmi.net/