OEK paralajmëron padi ndaj Artane Rizvanollit – i jep afat deri të hënën t’i paraqes provat mbi akuzat e bëra sot

Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur sot shqetësimin për deklaratat e ministres në detyrë, Artane Rizvanolli, e cila para mediave e ka cilësuar OEK-un si “aktor politik opozitar” dhe ka pretenduar se OEK ka dekurajuar bizneset të aplikojnë për skema grantesh. Sipas OEK, këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, duke theksuar se institucioni…

Lajme

05/12/2025 17:52

Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur sot shqetësimin për deklaratat e ministres në detyrë, Artane Rizvanolli, e cila para mediave e ka cilësuar OEK-un si “aktor politik opozitar” dhe ka pretenduar se OEK ka dekurajuar bizneset të aplikojnë për skema grantesh.

Sipas OEK, këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, duke theksuar se institucioni ka bashkëpunuar me çdo qeveri për dekada me radhë dhe ka inkurajuar vazhdimisht bizneset të përfitojnë nga të gjitha skemat mbështetëse, përfshirë edhe grantet, transmeton lajmi.net.

OEK nënvizon se çdo deklarim i kundërt synon të njollosë reputacionin e institucionit dhe kontributin e tij në shërbim të komunitetit të biznesit.

OEK i ka kërkuar ministres Rizvanolli që deri më 8 dhjetor 2025 të dorëzojë prova të verifikueshme për pretendimet e saj. Në mungesë të këtyre provave, OEK paralajmëron se do të iniciojë procedurat ligjore për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Po ashtu, Oda Ekonomike rikujton se ministrja në detyrë duhet të mbajë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara biznesve nga mënyra e njëanshme dhe e papërgatitur e futjes së tyre në tregun e lirë të energjisë, që ka krijuar vështirësi serioze financiare dhe operacionale për shumë ndërmarrje vendore.

OEK thekson përkushtimin e saj për të vazhduar punën me profesionalizëm, pavarësi dhe transparencë, duke mbrojtur interesat e bizneseve dhe të ekonomisë së vendit.

Komunikata e plotë: 

📢 Reagim i Odës Ekonomike të Kosovës
Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin për deklarimet e ish-ministres Artane Rizvanolli, e cila sot para mediave na etiketoi padrejtësisht si “akter politik opozitar” dhe pretendoi se OEK ka dekurajuar bizneset të aplikojnë për skema grantësh.
Këto pretendime janë të pabazuara, të dëmshme dhe të papranueshme për një institucion që prej dekadash ka bashkëpunuar me çdo qeveri, pa dallim.
OEK vazhdimisht i ka inkurajuar bizneset të aplikojnë në të gjitha skemat mbështetëse, përfshirë edhe grantet, duke i parë ato si mekanizma të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
➡️ Çdo deklarim i kundërt nuk qëndron dhe përpiqet të njollosë punën dhe kontributin tonë shumëvjeçar në shërbim të komunitetit të biznesit.
OEK i kërkon znj. Rizvanolli që deri të hënën, më 08.12.2025, të paraqesë prova të qarta dhe të verifikueshme mbi pretendimet e bëra publikisht.
Në mungesë të këtyre provave, OEK do të iniciojë procedurat ligjore për shpifje dhe dëmtim të reputacionit të institucionit.
Gjithashtu, rikujtojmë se ish-ministrja duhet të mbajë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara bizneseve nga mënyra e njëanshme dhe e papërgatitur e futjes së tyre në tregun e lirë të energjisë—proces që u ka krijuar vështirësi serioze financiare dhe operacionale shumë ndërmarrjeve vendore.
Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë me profesionalizëm, pavarësi dhe transparencë, duke mbrojtur interesat e bizneseve dhe të ekonomisë së vendit.
Ne do të vazhdojmë ta kryejmë këtë mision me integritet, ashtu siç presin anëtarët tanë dhe opinioni publik./lajmi.net/