Ragip Xhaka nuk kandidon për deputet: Do të angazhohem maksimalisht për fitoren e PDK-së dhe për Bedri Hamzën si kryeministër i ardhshëm
Ragip Xhaka, Kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër dhe një nga kandidatët më të votuar të diasporës në zgjedhjet e kaluara, ka njoftuar se këtë vit nuk do të jetë pjesë e garës për deputet të Kuvendit të Kosovës. Në një adresim publik, Xhaka falënderoi Partinë Demokratike të Kosovës, ish-kryetarin Memli Krasniqi dhe kryetarin…
Lajme
Ragip Xhaka, Kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër dhe një nga kandidatët më të votuar të diasporës në zgjedhjet e kaluara, ka njoftuar se këtë vit nuk do të jetë pjesë e garës për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Në një adresim publik, Xhaka falënderoi Partinë Demokratike të Kosovës, ish-kryetarin Memli Krasniqi dhe kryetarin aktual Bedri Hamza për besimin e dhënë për të qenë sërish pjesë e listës zgjedhore, transmeton lajmi.net.
Ai theksoi se vendimi për të mos kandiduar ka ardhur pas “një vlerësimi të kujdesshëm”, për shkak të obligimeve familjare, profesionale dhe angazhimeve të shumta në Zvicër.
Xhaka u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë qytetarëve që në zgjedhjet e kaluara i dhanë më shumë se 18 mijë vota, duke e cilësuar këtë si “përgjegjësi dhe nder” që do ta mbajë gjithmonë me krenari.
Edhe pse nuk do të marrë pjesë në garën zgjedhore, ai konfirmoi se do të vazhdojë angazhimin brenda partisë: “Si Kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër, do të angazhohem maksimalisht për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për z. Bedri Hamza si Kryeministri i ardhshëm.”
Xhaka tha se do të mbetet në dispozicion të strukturave dhe aktivistëve të PDK-së për të dhënë kontributin e tij gjatë gjithë procesit zgjedhor./lajmi.net/