Shpërthen bombola e gazit në Tiranë, lëndohen pronari dhe punonjësi i picerisë, dëmtohen bizneset
Një shpërthim bombole gazi ndodhi këtë të enjte në një piceri, te kompleksi “Delijorgji”, në Tiranë. Si pasojë e shpërthimit mbetën të lënduar dy persona, pronari i subjektit, rreth 40 vjeç dhe punonjësi i tij 28-vjeçar. Dy të lënduarit u dërguan në spital për trajtim të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Piceria ku…
Lajme
Një shpërthim bombole gazi ndodhi këtë të enjte në një piceri, te kompleksi “Delijorgji”, në Tiranë. Si pasojë e shpërthimit mbetën të lënduar dy persona, pronari i subjektit, rreth 40 vjeç dhe punonjësi i tij 28-vjeçar. Dy të lënduarit u dërguan në spital për trajtim të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Piceria ku ndodhi shpërthimi ishte ende në proces hapje dhe nuk ishte funksionale.
Sipas hetimeve të policisë, bombolat e gazit kanë qenë të instaluar në katin minus 1, ndërsa kanë qenë të lidhura me katin sipër përmes tubave. Kur pronari dhe punonjësi kanë hyrë brenda në piceri ata nuk e kanë ndjerë aromën e gazit që ka pasur rrjedhje dhe kanë nisur punën. Në një moment brenda subjektit dyshohet së ka pasur një shkëndijë dhe në atë çast ka ndodhur edhe shpërthimi.
Pamjet tregojnë se shpërthimi ka qenë i fuqishëm, duke dëmtuar pothuajse të gjithë fasadën e jashtme të subjektit. Gjithashtu edhe një pjesë e fasadës së bizneseve ngjitur me picerinë janë dëmtuar, raporton A2CNN.
Dëmtime në fasadën e jashtme kanë marrë edhe bizneset përballë xhamat e picerisë si pasojë e shpërthimit janë zhvendosur disa metra më tej duke rënë në dyert dhe xhamat e bizneseve të tjera.
Kontrollet periodike të bombolave të gazit mbeten të domosdoshme, pasi shpesh rezultojnë një ndër problematikat kryesore të sigurisë.