KPK-ja publikon vendimin për refuzimin e Raportit për zgjedhjen e anëtarit të ri: Procedura s’është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka përpiluar vendimin, me të cilin është refuzuar Raporti i procesit zgjedhor të 3 nëntorit 2025 për zgjedhjen e një anëtari në KPK. Vendimi për refuzimin e këtij Raporti është marrë në mbledhjen e Këshillit, e mbajtur më 1 dhjetor. “Refuzohet raporti i procesit zgjedhor i datës 03 nëntor 2025,…

Lajme

04/12/2025 11:31

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka përpiluar vendimin, me të cilin është refuzuar Raporti i procesit zgjedhor të 3 nëntorit 2025 për zgjedhjen e një anëtari në KPK. Vendimi për refuzimin e këtij Raporti është marrë në mbledhjen e Këshillit, e mbajtur më 1 dhjetor.

“Refuzohet raporti i procesit zgjedhor i datës 03 nëntor 2025, i cili u zhvillua në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Shtetit më datë 01 nëntor 2025. Nuk certifikohet rezultati përfundimtar i procesit zgjedhor për anëtarin e ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thuhet në vendim.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se i njëjti hyn në fuqi ditën e miratimit dhe obligohet Sekretariati që këtë vendim ta publikojë brenda 15 ditëve në faqen zyrtare të Këshillit.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se KPK-ja në takimin e 1 dhjetorit ka shqyrtuar raportin e Komisionit Zgjedhor të datës 3 nëntor 2025, të procesit zgjedhor për zgjedhjen e anëtarit të ri nga radhët e prokurorive themelore.

Aty thuhet se gjatë trajtimit janë evidentuar parregullsi substanciale, të cilat tregojnë që procedura nuk është zhvilluar në procedurat ligjore.

“Gjatë trajtimit u evidentuan parregullsi substanciale, të cilat tregojnë që as vetë procesi nuk është zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore, pasi që u vunë në pah edhe shkelje të rënda të cilat cenojnë saktësinë e raportit, transparencën dhe ligjshmërinë e vetë procesit zgjedhor”, thuhet në vendim.

Andaj, sipas KPK-së, duke u bazuar në këto rezulton se procedura e zbatuar në këtë proces zgjedhor, nuk është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Nga të lartcekurat, rezulton se procedura e zbatuar gjatë procesit zgjedhor nuk është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi, e cila paraqet një raport jo të besueshëm dhe të papërshtatshëm për tu miratuar, andaj Këshilli vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur mund t’i drejtohet organit kompetent.

Ndryshe, Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

Ndërkaq, në mbledhjen e radhës e cila u mbajt të hënën më 1 dhjetor, në sallë mori pjesë edhe ushtruesi i ri i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i zgjedhur nga pesë anëtarët e mbetur në mbledhjen e 20 nëntorit.

Ai deklaroi se do të marrë pjesë vetëm si anëtar ex-officio pa ndërhyrë në diskutime apo vendimmarrje deri në një vendim të gjykatës për rastin e kontestuar.

Takimi u zhvillua mes debatesh, ku një pjesë e anëtarëve kërkuan largimin e tij nga mbledhja, duke argumentuar se prania e tij bën kuorumin e paligjshëm.

Pas përplasjeve verbale, disa anëtarë – duke përfshirë Visar Krasniqin, Veton Shabanin, Dardan Vuniqin dhe Arian Gashin lëshuan takimin, ndërsa për rend të ditës u propozua edhe shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj.

Në atë mbledhje u refuzua votimi i Raportit të procesit zgjedhor për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit.

Në anën tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian pas këtyre zhvillimeve kërkoi takim urgjent me KPK-në, i cili u zhvillua të martën e 3 dhjetorit. Pas këtij takimi, BE-ja i ka bërë thirrje KPK-së për zbatim të plotë të reformës në këtë institucion, të sigurojë ligjshmërinë e vendimeve dhe të veprojnë me integritet.