Muja tha se kontrata e parë e nënshkruar me NOA-n është në 2019-tën, por ajo figuron e regjistruar si biznes dy vite më vonë

Tema e energjisë në Kosovë, blerja, shitja, importi e deri tek çmimi i saj e përfitimet e kompanive të ndryshme janë ndër temat më të përfolura kohëve të fundit. Kjo pasi Prokuroria Speciale ka filluar hetimet ndaj kompanisë “NOA Energy Trade”, kompanisë që e furnizon Kosovën me energji elektrike dhe për këto çështje nën hetime…

Lajme

04/12/2025 10:57

Tema e energjisë në Kosovë, blerja, shitja, importi e deri tek çmimi i saj e përfitimet e kompanive të ndryshme janë ndër temat më të përfolura kohëve të fundit. Kjo pasi Prokuroria Speciale ka filluar hetimet ndaj kompanisë “NOA Energy Trade”, kompanisë që e furnizon Kosovën me energji elektrike dhe për këto çështje nën hetime vazhdon të jetë edhe njeriu i Vetëvendosjes, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Kjo kompani, është e regjistruar në ARBK nga data 29 qershor 2021, ndërkaq dje, deputeti i VV-së, Armend Muja në një konferencë për media tha se kontrata me NOA-n është nënshkruar në vitin 2019 nga KEK-u dhe NOA- anipse kjo e fundit si biznes ekziston nga qershori i vitit 2021 e përfitimet e saj dihet mirë se u ngritën tek vitet e fundit.

“Ne na interesoi se kush nënshkroi kontratë me NOA-n. Kontrata u nënshkrua më 2019, nga KEK-u dhe NOA, teksa e dyta më 2021, nga kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Përparim Kabashi, katër ditë para se të merrte këtë detyrë Nagip Krasniqi”, u shpreh Muja.
Në ARBK, përveç informacioneve të tjera, shkruan edhe kapitali që kjo kompani ka e që është vetëm 0 euro.
Këto vlera që figurojnë në ARBK, nuk përkojnë me fitimin e kësaj kompanie nga KESCO.
Prej 68.9 milionë euro sa ishte vlera e importeve nga KESCO në vitin 2024, mbi 62 milionë euro i takojnë importeve vetëm përmes kompanisë “Noa Energy Trade”. Për një vit, nga kjo kompani janë importuar energji elektrike gjithsej 345 mijë e 566 megavatë në orë.

Sipas dokumenteve publike të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), vetëm për transportin e energjisë që KESCO e ka blerë nga NOA Energy Trade në vitin 2024, qytetarët kanë paguar 907% më shumë sesa vetë çmimi i energjisë.

Por, kush është NOA dhe pronari i saj?

NOA Energy Trade SH.P.K, Dega në Kosovë, është themeluar më 29 qershor 2021 dhe është në pronësi të kompanisë mëmë nga Shqipëria, e cila kontrollohet nga NOA Holding, me pronar Gentian Sulën.

Në Shqipëri, Sula është një nga biznesmenët më të përfolur dhe ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion aktiv.

Për Sulën është caktuar masë sigurie nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me urdhër për paraqitje të rregullt në prokurori.

Ajo është kompania e tetë më e madhja në Kosovë, me vetëm dy punëtorë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Data4X.com, NOA Energy është ndër top 10 kompanitë më të mëdha në Kosovë për vitin 2024, për vetëm tri vite pas hyrjes në treg. Por, ndërkohë që ajo deklaron qindra miliona euro qarkullim, ka të regjistruar vetëm dy punëtorë në Administratën Tatimore të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vetë ATK ku po ashtu u tha se kjo kompani ka adresë të falsifikuar.

Por, me këtë kompani ka probleme edhe më serioze. Pronari i kësaj kompanie, pra Gentian Sula ka lidhje të ngushta me pronarët e kompanisë “EFT”, dega në Shqipëri e që çojnë te Vuk Hamoviç, një biznesmen serb.

Kompania me origjinë serbe “EFT Group”, për 20 vite kishte mbajtur primatin në furnizimin e Kosovës me energji elektrike nga importi. Kjo kompani ka pronar Vuk Hamoviç, një biznesmen serb, i njohur si “lojtari kryesor” i tregtimit me energji elektrike në Ballkan.

Përveç kompanisë nga Shqipëria, Noa Energy Trade, të cilës iu mundësua monopoli nga KESCO, një hulumtimi i realizuar nga mediumi “Buletini Ekonomik“, ka zbuluar edhe kompani tjera që dyshohet se ishin pjesë e skemës së importeve.
Kompania me origjinë serbe “EFT Group”, për 20 vite kishte mbajtur primatin në furnizimin e Kosovës me energji elektrike nga importi. Kjo kompani ka pronar Vuk Hamoviç, një biznesmen serb, i njohur si “lojtari kryesor” i tregtimit me energji elektrike në Ballkan.

Hulumtimi zbulon “lidhjet e shkurtra”, mes drejtuesve të degës së kësaj kompanie në Shqipëri dhe kompanisë shqiptare Noa Energy Trade, e cila është importuesi kryesor i energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2023-2024.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Qendra Kombëtare e Bizneseve në Shqipëri, drejtues i degës se kompanisë “EFT” në Shqipëri është Mirsad Uruçi, një biznesmen shqiptar i njohur për tregtim me energji elektrike që nga viti 2017. Por prezenca e EFT-së në Shqipëri daton që nga viti 2002, me drejtues Enver Uruçi, babai i Mirsad Uruçit.

Në këtë vit, shoqëria “EFT” u regjistrua si “shoqëri tregtare angleze”, por nga hulumtimi del se pronari i vërtetë është Vuk Hamoviç, një biznesmen serb me të kaluar të dyshimtë dhe i hetuar nga disa shtete për transaksionet në tregtimin me energji elektrike. Në vitin 2017, “EFT” kishte ndërruar statusin juridik në Shqipëri duke u inkorporuar e regjistruar në Shqipëri si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe me administrator, Mirsad Uruçin.

Lidhja mes “EFT”-së të Vuk Hamoviçit dhe “NOA” së Gentian Sulës nuk është konfirmuar asnjëherë dhe nuk është pohuar asnjëherë nëse ata të dy kanë bashkëpunuar për t’i shitur rrymë Kosovës, por që kjo tani më dihet.

Gjatë viteve 2021-2025, çmimi i energjisë elektrike është rritur për tri herë, teksa për këtë asnjëherë nuk ka dal ndonjë deklaratë nga kompania “fantazmë” që nuk dihet ku ekziston, por që e furnizon Kosovën me energji elektrike./Lajmi.net/