BE thotë se politizimi i KQZ-së është i dëmshëm për Kosovën, pasi s’u certifikua Lista Serbe

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka shprehur keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. “Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës që është në…

Lajme

03/12/2025 09:54

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka shprehur keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

“Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës që është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”, tha Zyra e BE-së në një reagim në Facebook të martën vonë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se ndihet “i shqetësuar” për përpjekjen e fundit nga aktorët politikë për të mos e lejuar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore.

“Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, tha Hargreaves në Facebook.

Gjatë një mbledhjeje të martën pasdite, anëtarët e KQZ-së nuk e certifikuan Listën Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe, njëkohësisht, është e vetmja që e gëzon mbështetjen e Beogradit.

Rekomandimi për certifikimin e saj i mori vetëm 2 vota për, ndërsa 2 anëtarë votuan kundër dhe 7 abstenuan.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër.
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Kurteshi tha gjatë mbledhjes se “e kam thënë gjithmonë se kjo parti punon kundër interesave të Kosovës”.

Anëtarët e partive të tjera politike shqiptare në KQZ, nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, abstenuan nga votimi.

Më herët, vendimi i komisionit u kritikua edhe nga Serbia dhe nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë (OSBE), i cili tha se është “i zhgënjyer dhe i shqetësuar thellësisht”.

OSBE-ja theksoi se është “seriozisht e shqetësuar për rritjen e polarizimit politik brenda KQZ-së, i cili reflektohet në sjelljen gjatë votimit që duket se udhëhiqet nga interesa partiake, e jo nga kritere ligjore dhe parime demokratike”.

“Sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë që janë thelbësore për një organ të pavarur të administrimit të zgjedhjeve”, tha ajo.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, e cilësoi si “plotësisht të papranueshëm” vendimin e KQZ-së.

“Kjo tregon jo vetëm mungesën e kapaciteteve demokratike, por edhe një qëndrim plotësisht të papranueshëm ndaj një tërë komuniteti kombëtar”, tha Gjuriq në Uashington në një bisedë me gazetarë nga Serbia.

Kreu i diplomacisë së Serbisë shtoi se shpresën se, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ky vendim do të rishikohet, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme.

Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëse të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, duke u rikthyer në pushtet pasi i kishte braktisur institucionet e Kosovës më 2022.

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme këtë muaj sepse partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti në dy përpjekje ta marrë mbështetjen e Kuvendit për një mandat të ri.

Ajo i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 ulëse në Kuvend ishin të pamjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe ajo nuk gjeti një partner për të formuar qoftë edhe një qeveri të pakicës prej 61 ulësesh në Kuvend.