Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ishte i pranishëm mbrëmë në Gala-n e futbollit italian, pasi u përfshi në Formacionin e Vitit, një vlerësim që vjen si rrjedhojë e paraqitjeve të tij fantastike sezonin e kaluar, ku u shpall kampion i Italisë si një nga protagonistët kryesorë të Napolit.
Rrahmani ka vazhduar formën e mirë edhe këtë sezon: në tetë ndeshjet ku është aktivizuar si titullar nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte, Napoli ka pësuar vetëm tre gola me të në fushë.
Formacioni i Vitit përfshiu disa prej emrave më të rëndësishëm të Serie A, ndër ta Scott McTominay, Lautaro Martinez dhe Tijjani Reijnders.
Nga skuadrat e Interit dhe Napolit u zgjodhën: Denzel Dumfries, Amir Rrahmani, Alessandro Bastoni, Federico Dimarco, Scott McTominay, Nicolo Barella dhe Lautaro Martinez.
Rrahmani mori pjesë në këtë mbrëmje speciale i shoqëruar nga partnerja e tij, Drita Stublla.
Çifti u shfaq elegant, duke zgjedhur veshje në ngjyrë të zezë, duke tërhequr vëmendjen e mediave të pranishme.
Ky vlerësim shënon edhe një tjetër moment krenarie për futbollistin kosovar, i cili vazhdon të jetë një nga mbrojtësit më të vlerësuar në kampionatin italian.