Anëtari i KPK-së, Arian Gashi: SMS që po qarkullon në media nuk është i imi
Arian Gashi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka thënë se SMS që po qarkullon në media nuk është i tij dhe se për shpifjet ndaj tij do të ndjek procedurat ligjore. Kujtojmë se në mbledhjen e 279-të të KPK-së, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se gjatë procesit të votimit për anëtar të KPK-së më 1 nëntor 2025, kishte premtime për favore, duke lexuar edhe një mesazh të një prokurori drejtuar një kryeprokurori, ku…
Lajme
Arian Gashi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka thënë se SMS që po qarkullon në media nuk është i tij dhe se për shpifjet ndaj tij do të ndjek procedurat ligjore.
Kujtojmë se në mbledhjen e 279-të të KPK-së, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se gjatë procesit të votimit për anëtar të KPK-së më 1 nëntor 2025, kishte premtime për favore, duke lexuar edhe një mesazh të një prokurori drejtuar një kryeprokurori, ku përmendet edhe Gashi.
“Përshëndetje Kryeprokuror, hiç mos të vjen keq, unë e jap arsyetimin ditën e hënë (sepse ka kërkuar sqarimin pse nuk ka ardhë me votu), do të vijë ditën e hënë kur të vijë në Pejë, e sheh sa herë më ka thirrë dhe shkruar për me shku me votu kandidaten e tij. Veç deshta me ia rikujtu Arianit se me votu është e drejtë ligjore dhe assesi nuk është obligim, me logjikën e tij, qytetarët që nuk marrin pjesë në zgjedhje duhet me i dënu”, ka lexuar kryesuesi mesazhin.
Lidhur me këtë, ka folur për “Betimi për Drejtësi” anëtari Gashi duke sqaruar se SMS që ka lexuar kryesuesi Hajdaraj e që po qarkullon edhe në media, nuk është i tij dhe nuk mund të akuzohet kur dikush flet për emrin e tij.
“Së pari, SMS-i që po qarkullon në media nuk është i imi. Nga përmbajtja dhe forma, duket qartazi se bëhet fjalë për një komunikim mes një prokurori dhe Kryeprokurorit të prokurorisë përkatëse, dhe nuk ka asnjë lidhje me mua apo me punën e Komisionit Zgjedhor. Nuk mund të akuzohet dikush vetëm pse emri i tij përfshihet në një komunikim të brendshëm midis dy personave të tjerë”, tha Gashi për Betimi për Drejtësi.
Tutje, Gashi ka shtuar se sipas Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit, ka pasur për detyrë të njoftojë kryeprokurorët me emra të prokurorëve që nuk kanë marrë pjesë në votim.
“Së dyti, sipas Rregullores 05/2025 për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit, konkretisht neni 10, paragrafi 13, Komisioni Zgjedhor ka obligim të njoftojë Kryeprokurorët me emrat e prokurorëve të juridiksionit të tyre që nuk kanë marrë pjesë në votim. Ky është një detyrim procedural i qartë, i paraparë për të siguruar transparencë dhe integritet të procesit”, ka shtuar Gashi.
Dhe krejt në fund, Gashi ka thënë se bëhet fjalë për një shpifje dhe përpjekje për të krijuar alibi në një proces kredibil që është vlerësuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, duke paralajmëruar kështu pasoja ligjore për shpifjet e bëra ndaj tij.
“Prandaj, ashtu siç e theksova edhe sot, bëhet fjalë për një shpifje të pastër dhe një përpjekje të qëllimshme për të krijuar alibi rreth tentativave për deformimin e një procesi tejet kredibil, transparent dhe të vlerësuar nga të gjithë akterët, përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë. Për shpifjet që po bëhen nga individë të caktuar dhe disa media, do t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore”, ka thënë për fund Gashi.