Abdixhiku me kritika ndaj qeverisë së VV-së: LDK e gatshme të marrë timonin e vendit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë,në fjalën e tij pati kritika ndaj qeverisjes aktuale, duke e vlerësuar situatën politike si “moment kritik për Republikën”. Ai tha se LDK hyrë në zgjedhjet e 28 dhjetorit me synimin për të “rikthyer normalitetin institucional dhe orientimin euroatlantik të…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë,në fjalën e tij pati kritika ndaj qeverisjes aktuale, duke e vlerësuar situatën politike si “moment kritik për Republikën”.
Ai tha se LDK hyrë në zgjedhjet e 28 dhjetorit me synimin për të “rikthyer normalitetin institucional dhe orientimin euroatlantik të Kosovës”.
“Nuk jemi mbledhur vetëm për një vendimmarrje partiake, por për përgjegjësinë ndaj vendit, ndaj shtetit, ndaj atdheut,” deklaroi Abdixhiku në hapje të fjalimit.
Kreu i LDK-së akuzoi qeverinë aktuale për keqqeverisje, shkelje të ligjit dhe “bllokim të qëllimtë të vendit” për më shumë se dhjetë muaj.
“Dhjetë muaj me radhë, Republika e Kosovës është mbajtur në bllokadë nga dikush që nuk e kupton demokracinë… një pushtet pa legjitimitet nuk është qeverisje – është uzurpim,” u shpreh ai.
Abdixhiku tha se vendi po udhëhiqet nga një qeveri që “qëndron në detyrë pa numra, pa mandat dhe pa besim”.
“Kemi ministra që qëndrojnë në detyrë pa të drejtë; kemi deputetë që mbajnë dy funksione në kundërshtim me Kushtetutë,” tha ai, duke theksuar se kriza është bërë mjeti kryesor i mbijetesës së pushtetit.
Kreu i LDK-së e paraqiti partinë e tij si “alternativën e vetme të përgjegjshme” në skenën aktuale politike, duke rikujtuar trashëgiminë rugoviane.
“LDK ka qenë gjithmonë forca e shtetit, e qetësisë dhe e arsyes. Dhe sot, LDK është sërish ajo forcë. Forca që mbledh njerëzit rreth vlerave, jo rreth frikës,” tha ai ndër duartrokitjet e delegatëve.
Ai shtoi se LDK nuk do të bëjë kompromis me popullizmin.
“Kur themi ‘jo me ta’, mbetet ‘jo me ta’. Nuk ka ofertë, pozitë apo privilegj që e ndryshon besatimin tonë ndaj qytetarëve.”
Ai i bëri thirrje drejtuar mërgatës kosovare që të kthehet në vend për zgjedhjet.
“Me 28 dhjetor, ejani masivisht. Ejani jo vetëm për festat e fundvitit, por për ta vendosur drejtimin e Kosovës,” u shpreh Abdixhiku.
Abdixhiku prezantoi tri shtyllat kryesore mbi të cilat, sipas tij, LDK do të ndërtojë qeverisjen e re:
Rikthimi i stabilitetit institucional
“Kosova nuk mund të ecë përpara me kriza të përhershme e me uzurpim institucionesh. Është koha ta rikthejmë rendin demokratik.”
Kthimi në rrugën euroatlantike
“Stagnimi euroatlantik i Kosovës është rreziku më i madh kombëtar. Kthimi te SHBA-ja dhe BE-ja nuk është opsion – është detyrim.”
Zhvillimi ekonomik dhe rritja e standardit të jetesës
Abdixhiku falënderoi Kryesinë e LDK-së për nominimin e tij si kandidat për kryeministër.
“Aprovimi i nominimit tim është përgjegjësi e madhe. Jam gati t’ju prij. Jam gati të ecim bashkë. Jam gati ta mbaj peshën e kësaj detyre – në emër të vendit tim,” tha ai.
“Ejani ta bëjmë këtë betejë. Kur LDK merr përgjegjësi – Kosova ka shpresë. Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti e bekoftë LDK-në.”
Derisa Abdixhiku pritet të jetë sërish i nominuari LDK-së për kryeministër. /Lajmi.net/