Gjeneral Major Gëzim Hazrolli i bashkohet LDK-së, Abdixhiku: Njerëzit e shtetit po kthehen në politikë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se LDK-së, i është bashkuar Gjeneral Major Gëzim Hazrolli. Ai ka thënë se ai i bashkohet LDK-së jo vetëm si profesionist i rrallë, por si simbol i disiplinës, integritetit dhe karakterit që vendi ka nevojë t’i rikthejë në qendër të jedtës publike. “Në vitet vendimtare të çlirimit, si…

Lajme

01/12/2025 12:04

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se LDK-së, i është bashkuar Gjeneral Major Gëzim Hazrolli.

Ai ka thënë se ai i bashkohet LDK-së jo vetëm si profesionist i rrallë, por si simbol i disiplinës, integritetit dhe karakterit që vendi ka nevojë t’i rikthejë në qendër të jedtës publike.

“Në vitet vendimtare të çlirimit, si Komandant i Brigadës 123, të UÇK-së, ai ishte ndër njerëzit që mbajtën vijën e frontit – me përgjegjësi dhe me sakrificë. I qetë në vendimmarrje, i saktë në udhëheqje, i palëkundur në detyrë. Prej atyre burrave që i kanë dhënë peshë fjalës komandant. Pas luftës, kur vendi kishte nevojë për themele të reja, Hazrolli ishte ndër të parët që vuri gurët e parë në ngritjen e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës; dhe ndër të parët që udhëhoqi transformimin e tyre në Forcë të Sigurisë së Kosovës, për t’i dhënë Republikës një ushtri moderne, profesionale, të besueshme për aleatët tanë. Nga viti 2009 deri në maj 2025, në pozitat më të larta drejtuese të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ai ishte pjesë e çdo procesi kyç të modernizimit: ngritja e kapaciteteve luftarake, profesionalizimi i trupës, ndërtimi i standardeve që sot e lidhin ushtrinë tonë me partnerët euroatlantikë. I formuar në institucionet strategjike më prestigjioze; Royal College of Defence Studies në Londër, Marshall Center në Garmisch, programet ekzekutive në Monterey, California; Gjenerali Hazrolli është ndër ekspertët më të plotë që ka prodhuar sistemi ynë i sigurisë”, ka shkruar Abdixhiku duke përshkruar karrierën e Hazrollit.

Ai ka thënë se Hazrolli është nderuar me Medaljen Presidenciale Ushtarake, Medaljen për Shërbime të Shquara, Medaljen e Karrierës – dekorata që mbahen pak, meritohen shumë dhe trashëgohen me krenari.

“Sot, ardhja e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës përçon një mesazh të qartë: njerëzit e shtetit po kthehen në politikë; njerëzit e përgjegjësisë po bashkohen në një projekt që synon rend, stabilitet dhe orientim të palëkundur euroatlantik. Gjeneral Hazrolli i bashkohet LDK-së për një arsye të thjeshtë dhe të madhe: sepse Kosova ka nevojë për shtet, jo spektakël; për institucione të përgatitura, jo improvizim; për drejtim të qetë, të matur dhe të sigurt – jo aventurë politike. Mirë se vjen, Gjeneral Gëzim Hazrolli. Në këtë shtëpi politike, do të gjesh vlerat që i mbron prej tri dekadash: nderin, disiplinën, besën dhe përkushtimin ndaj Republikës. Udhëtimi ynë për një Kosovë më të sigurt, më të fortë dhe më evropiane sot bëhet më i fuqishëm”, ka shtuar Abdixhiku. /Lajmi.net/ 

Njoftimi i plotë: