Vrasje në tentativë, i akuzuari dënohet me katër vjet e gjashtë muaj burgim
Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit P.B., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin…
Lajme
Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit P.B., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shpalli aktgjykimin me të cilin i pandehuri u shpall fajtor dhe ndaj tij u shqiptua dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj.
“I pandehuri akuzohet se më datë 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc – Gjakovë, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje pronësore të vazhdueshme, ka tentuar me dashje ta privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B. Gjatë një bisede pranë rrethojës së oborrit, pas një fjalosjeje, i pandehuri ka nxjerrë pistoletën dhe ndërsa i dëmtuari po largohej me vrap, ka shtënë nga një distancë rreth 3 metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës. Si pasojë, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, për të cilat ka qenë i nevojshëm operimi”, thuhet në aktakuzë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Lajmi.net/