Hoti për kritikat pas ankesës në PZAP: Ankesa e LDK-së duhet kuptuar si veprim për ruajtjen e integritetit të procesit të votimit

Deputeti i LDK-së dhe ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se LDK në aktivitetin opozitar të katër viteve të qeverisjes së VV-së, është fokusuar në kontrollin dhe parandalimin e dëmeve në ekonomi, shoqëri, në integritetin shtetëror të Kosovës e të shkaktuara në vazhdimësi nga vendimet arbitrare të kryeministrit…

Lajme

01/12/2025 10:23

Deputeti i LDK-së dhe ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se LDK në aktivitetin opozitar të katër viteve të qeverisjes së VV-së, është fokusuar në kontrollin dhe parandalimin e dëmeve në ekonomi, shoqëri, në integritetin shtetëror të Kosovës e të shkaktuara në vazhdimësi nga vendimet arbitrare të kryeministrit dhe ministrave, nga ligjet jokushtetuese të miratuara në Kuvendin e Kosovës dhe nga vendimet joligjore të agjencive të pavarura.

Ai ka thënë se po të kishim të situatë të qeverisjes normale, progresive, demokratike e proevropiane, aktiviteti i LDK-së do të ishte fokusuar në dhënien e rekomandimeve për të avancuar politikat qevërisëse me qëllim të maksimizimit të përfitimeve për qytetarët dhe bizneset.

Hoti në një qeverisje të tillë, aktiviteti opozitar do të fokusohej kryesisht në mbikëqyrjen opozitare të zbatimit të politikave qeveritare, si dhe në aktivitete llogaridhënëse të qeverisë ndaj opozitës, që është një detyrim kushtetues i qeverisë në sistemin demokratik.

Ai ka thënë se qeverisja e katër viteve të fundit ka qenë larg këtij modeli.

“Prandaj, LDK-ja ka qenë e detyruar të dërgojë shumë ligje në Gjykatën Kushtetuese, si asnjëherë më parë në historinë e jetës parlamentare në Kosovë. Shumica e atyre ligjeve janë shpallur jokushtetuese. Në këtë kuptim duhet parë edhe ankesën e LDK-së në PZAP, lidhur me vendimin e KQZ-së për votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës. Është naive të mendohet se mund të sigurohet integriteti i procesit të votimit në objekte private në shtete të huaja. Në këtë drejtim, ankesa e LDK-së duhet kuptuar si veprim për ruajtjen e integritetit të procesit të votimit, e rrjedhimisht edhe të integritetit të përgjithshëm shtetëror të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se në vend se të pranohet vendimi i PZAP-së me përulësi e respekt, VV del ta shaj LDK-në.

“Është e qartë se këta nuk kuptojnë esencën e termit ‘integritet shtetëror’. Çdo debat me ta në këtë aspekt është i kotë. Këta përbuzës të shtetit të Kosovës duhet larguar me votë nga qeverisja”, ka shkruar Hoti. /Lajmi.net/ 

Postimi i plotë: