Mbledhja e fundit e KMShK-së, merret vendim për 13 ankesa

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 13 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohet një nga to, një të miratohet pjesërisht, tetë të refuzohen, dy të shpallen të pajtrajtueshme dhe një e paafatshme. Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e…

Lajme

28/11/2025 11:20

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 13 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohet një nga to, një të miratohet pjesërisht, tetë të refuzohen, dy të shpallen të pajtrajtueshme dhe një e paafatshme.

Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.

KMShK ka miratuar ankesën e Mehdi Sejdiut kundër Paparaci.com për shkrimin me titull “Edhe UÇK-ja ishte organizatë terroriste’, ky është krahasimi që bën ish-këshilltari i Besnik Bislimit’”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Termokos Sh.A. kundër Gazetakosova.net për shkrimin me titull “Kriza financiare godet Termokosin – Punëtorët pa paga, menaxhmenti shpërndan mijëra euro për marketing!”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, por jo edhe Kapitulli IV, i cili ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Blinera Osmanit kundër Nacionale.com, Reporteri.net dhe Periskopi.com për shkrimet me tituj “Blinera Osmani, motra e Presidentes, u licencua për avokate pa i plotësuar kushtet”, “Motra e Vjosa Osmanit u licencua për avokate pa i plotësuar kushtet” dhe “Dokumente: Si u bë që Blinera Osmani, motra e Presidentes, mori licencën për avokate pa i plotësuar kushtet”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht privatësinë, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Rilind Gërvallës kundër Reporteri.net për shkrimin me titull “”Liroje zyrën tani’ – luftë në RTK se kush është shefi mes Rilind Gërvallës dhe Hysen Hundozit”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Blendina Hoxhës kundër Klankosova.tv për shkrimin me titull “Ekskluzive: Ky është ushtari nga Drenasi i akuzuar për dhunim në Angli, policia britanike flet për Klanin”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht privatësinë, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Paparaci.com për shkrimin me titull “’Satira me pushtetin e Vetëvendosjes, ‘Logjikonomia’ hiqet nga Youtube”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Nacionale.com për shkrimin me titull “’Pas shfaqjes së ‘Logjikonomisë’ ku tallej me festën e VV-së për fitoren e Pecit në Mitrovicë, mbyllet kanali i ‘Tëvë1’ në Youtube”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Periskopi.com për shkrimin me titull “E çuditshme: Pasi u publikua mbrëmë emisioni ku tallej festa e VV në Mitrovicë, mbyllet kanali i Logjikonomisë në Youtube”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Jepize.com për shkrimin me titull “’Pasi u mbyll kanali ku shfaqet ‘Logjikonomia’ që bëri humor me festën e VV-së në Mitrovicë, reagon Kusari: Shqetësuese’”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Reporteri.net për shkrimin me titull “’Mbyllet kanali ku shfaqet ‘Logjikonomia’ që bëri humor me festën e VV-së në Mitrovicë, reagon Kusari: Shqetësuese’”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Betim Lushtakut, përfaqësuar nga avokati Agon Rrecaj, për videon me titull “Betim Lushtaku, miku i kryetarit të Skënderajt, Fadil Nura, ortak me të arrestuarin e sotëm për spiunazh, Fatmir Shehollin”, pasi që videoja nuk është publikuar në një media, por në një rrjet social. KMShK nuk ka kompetencë t’i vlerësojë shkrimet ose videot e publikuara në rrjete sociale. Pretendimet e veta pala mund t’i adresojë në gjykatë ose në rrjetin social Facebook.

KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Bergita Currit, kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Në IML, Universitet dhe kompani private – si grumbulloi pasuri të dyshimtë ekspertja e Mjekësisë Ligjore, Bergita Curri dhe për çka po hetohet nga Prokuroria?”, duke konstatuar se media ka bërë përmirësimet e nevojshme brenda shkrimit, por KMShK nuk ka kompetencë të urdhërojë median të ndërmarrë një veprim të caktuar, siç kërkon pala ankuese, pra që të publikohet një shkrim i veçantë.

KMShK e ka shpallur të paafatshme ankesën e Edison Tahirajt kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Ky është pronari i autosallonit në Çagllavicë që u arrestua për mashtrim, u mbeti borxh rreth 100 mijë euro dy personave”. Shkrimi është botuar në vitin 2022. KMShK udhëzon palën që t’i drejtohet medias me kërkesë për heqje të emrit të tij apo të kërkojë nga gjykata një gjë të tillë.