Sala Jashari: Nëse rikthehem në Parlament, do të ndërmarr nismën që 28 Nëntori të shpallet festë shtetërore në Republikën e Kosovës

Ish-deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka publikuar një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, ku përveç urimit, ka paralajmëruar se nëse fiton një mandat të ri në Kuvendin e Kosovës, do të ndërmarrë nismën për ta shpallur këtë datë festë shtetërore. Jashari theksoi se 28 Nëntori është një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët,…

Lajme

28/11/2025 10:24

Ish-deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka publikuar një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, ku përveç urimit, ka paralajmëruar se nëse fiton një mandat të ri në Kuvendin e Kosovës, do të ndërmarrë nismën për ta shpallur këtë datë festë shtetërore.

Jashari theksoi se 28 Nëntori është një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët, jo vetëm për faktin se është festë kombëtare, por edhe për simbolikën e saj në historinë e Kosovës. Ajo kujtoi se kjo datë lidhet me lindjen e heroit kombëtar Adem Jashari si dhe me dalje e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997, transmeton lajmi.net.

“Kjo datë nuk është vetëm një shenjë kalendarike. Ajo është kujtesë e përbashkët, rrënjë dhe trashëgimi që na bashkon si komb,” shkroi Jashari, duke shtuar se 28 Nëntori ende nuk e ka vendin e merituar si ditë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ajo shprehu qartë zotimin e saj politik: “Nëse edhe në legjislaturën tjetër do të arrij të jem pjesë e Parlamentit të Kosovës, në pozitën e deputetes, do të ndërmarr nismën që 28 Nëntori të shpallet festë shtetërore në Republikën e Kosovës.”

Sipas saj, ky propozim nuk synon vetëm aspektin ceremonial, por përfaqëson nderim për dëshmorët, veteranët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës. Jashari tha se bashkimi i këtyre datave në një të vetme është i domosdoshëm për të ruajtur kujtesën historike dhe identitetin kombëtar.

Në fund të mesazhit, ajo uroi qytetarët: “Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e dinjitetit dhe krenarisë sonë të përbashkët.”

Postimi i plotë: 

Sot 28 Nëntori është një festë kombëtare për të gjithë shqiptarët. Gjithashtu, është datë që mban peshën e historisë së rezistencës dhe çlirimit të Kosovës. Më 28 Nëntor lindi heroi ynë kombëtar Adem Jashari, dhe po në të njëjtën datë shënohet dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997.
Kjo datë nuk është vetëm një shenjë kalendarike. Ajo është kujtesë e përbashkët, është rrënjë, është trashëgimi që na bashkon dhe na orienton si komb. Megjithatë, në Republikën e Kosovës kjo datë ende nuk e ka zënë vendin e saj të merituar si ditë zyrtare shtetërore, një mungesë që duhet adresuar.
Andaj, zotohem që, nëse edhe në legjislaturën tjetër do të arrij të jem pjesë e Parlamentit të Kosovës, në pozitën e deputetes, do të ndërmarr nismën që 28 Nëntori të shpallet festë shtetërore në Republikën e Kosovës.
Pavarësisht vështirësive, është e rëndësishme që këto data të bashkohen në një të vetme, si ngjarjet që kanë formësuar identitetin dhe vetëdijen tonë kombëtare.
Ky propozim nuk synon thjesht ceremonialin.
Ai është njohje e rrugëtimit tonë, është nder për familjet e dëshmorëve, për veteranët dhe për çdo njeri që ka kontribuar për lirinë e Kosovës. Është kujtesë se sakrifica nuk ka qenë e lehtë dhe se identiteti ynë është i gdhendur në përballjet, qëndresën dhe vendosmërinë e popullit tonë.
Kjo është një prej mënyrave se si e lartësojmë kontributin për atdheun, duke e trashëguar këtë ndjenjë përgjegjësie e krenarie te gjeneratat që vijnë.
Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e dinjitetit dhe krenarisë sonë të përbashkët.
Me respekt,
Sala Jashari./lajmi.net/