Gërvalla i RTK-së falënderon punëtorët për qetësinë dhe profesionalizmin: Nuk lejuat që agjenda të huaja të ndikojnë në punën tonë
Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, ka reaguar sot me një mesazh falënderimi drejtuar punëtorëve të RTK-së, duke vlerësuar lartë qetësinë, maturinë dhe profesionalizmin e tyre gjatë ditëve të fundit, të cilat i përshkroi si të ngarkuara me sulme politike dhe presione të pavend ndaj institucionit. Gërvalla tha se, ndonëse figurat politike kanë…
Lajme
Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, ka reaguar sot me një mesazh falënderimi drejtuar punëtorëve të RTK-së, duke vlerësuar lartë qetësinë, maturinë dhe profesionalizmin e tyre gjatë ditëve të fundit, të cilat i përshkroi si të ngarkuara me sulme politike dhe presione të pavend ndaj institucionit.
Gërvalla tha se, ndonëse figurat politike kanë bërë thirrje për përfshirje në partitë e tyre dhe kanë kritikuar proceset e brendshme të transmetuesit publik, punëtorët e RTK-së zgjodhën të përgjigjen me integritet dhe punë profesionale, duke mos rënë pre e provokimeve.
Ai kritikoi atë që e quajti “gjueti politike” dhe përpjekje për ta paraqitur RTK-në si të varur nga grupet e interesit, duke theksuar se disa aktorë po kërkonin mbylljen e RTK-së në emër të mbrojtjes së saj dhe po i linin qytetarët nën ndikimin e mediave të oligarkëve.
Sipas Gërvallës, meritë për stabilitetin dhe besueshmërinë e institucionit kanë punëtorët, të cilët “nuk lejuan që agjenda të huaja të ndikojnë në punën e tyre” dhe çdo sfidë e kthyen në motiv për të punuar më mirë.
“RTK mbahet në këmbë nga puna e brendshme, nga profesionalizmi dhe etika e secilit prej jush,” u shpreh ai, duke shtuar se transmetuesi publik do të vazhdojë të jetë zëri i publikut dhe jo i grupeve të interesit.
Në fund, drejtori i RTK-së falënderoi punonjësit për dinjitetin dhe përkushtimin e tyre, duke paralajmëruar se institucionin e presin projekte të reja. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: