1 milion euro ‘premi’ për lojtarët e Kosovës nëse kualifikohen për Botëror, cili është skenari për të arritur atje?

Kryeministri në detyrë i Kosovës, sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka marrë vendim për të shpërblyer lojtarët e Kombëtarës së Kosovës. Ai ka thënë se do të ketë shpërblime për ta për kalimin në fazën e ‘playoff-it’, si dhe nësë fitojnë ndaj Sllovakisë, apo edhe nëse kualifikohen në Kupën e Botës, raporton lajmi.net…

Sport

27/11/2025 12:50

Kryeministri në detyrë i Kosovës, sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka marrë vendim për të shpërblyer lojtarët e Kombëtarës së Kosovës.

Ai ka thënë se do të ketë shpërblime për ta për kalimin në fazën e ‘playoff-it’, si dhe nësë fitojnë ndaj Sllovakisë, apo edhe nëse kualifikohen në Kupën e Botës, raporton lajmi.net

Kurti tha se 250 mijë euro ndahen për arritjen në ‘playoff’, 500 mijë euro për fitore ndaj Sllovakisë dhe 1 milion euro për Botërorin.

Cili është skenari që Kosova të shkojë në Botëror?

FIFA ka zbuluar tashmë zyrtarisht vazot për shortin e Kupës së Botës 2026, dhe garat për vendet e fundit të mbetura në turne janë futur në fazën më të nxehtë.

Teksa Botërori në SHBA, Meksikë dhe Kanada po afrohet, Kosova mbetet ende në lojë për kualifikim historik.

“Dardanët” kanë një rrugë të vështirë, por të arritshme.

Më 26 mars, Kosova udhëton në Bratislavë për gjysmëfinalen e play off ndaj Sllovakisë.

Nëse arrin fitore, vetëm pak ditë më vonë më 31 mars do të presë Turqinë ose Rumaninë në një finale që mund ta dërgojë për herë të parë në Kupën e Botës.

Në rast kualifikimi, Kosova do të vendoset në vazon e katërt, së bashku me fituesit e tri plejofeve të tjera evropiane, dy play off-e ndërkontinentale dhe kombëtaret Jordaninë, Kepin e Gjelbër, Ganën, Kuraçaon, Haitin dhe Zelandën e Re.

Vazot e tjera janë tashmë të kompletuara.

Vazoja e parë: nikoqirët Kanada, Meksikë dhe SHBA; plus gjigantët Spanja, Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika dhe Gjermania.

Vazoja e dytë: Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria dhe Australia.

Vazoja e tretë: Norvegjia, Panamaja, Egjipti, Algjeria, Skocia, Paraguai, Tunizia, Bregu i Fildishtë, Uzbekistani, Katari, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut.

Shorti do të tërhiqet më 5 dhjetor, në një ceremoni madhështore në ëashington, ku pritet të marrin pjesë delegacionet e të gjitha federatave që janë kualifikuar ose janë ende në garë — përfshirë edhe atë të Kosovës.

Ky Botëror do të jetë edicioni i parë me 48 përfaqësuese, të ndara në 12 grupe me nga katër skuadra.

Dy të parat e grupit kualifikohen direkt në 1/16 e finales, ndërsa atyre u bashkohen edhe tetë vendet e treta më të mira.

FIFA ka dizajnuar ndarjen në vazo në mënyrë që favoritët të mos ndeshen mes vete në fazat e hershme.

Nëse Kosova dhe potencialisht edhe Shqipëria arrijnë kualifikimin, do të ishte arritja më e madhe e futbollit shqiptar në histori./Lajmi.net/