Drita – Shkëndija, “Fadil Vokrri” sot hap dyert për përballjen shqiptare
Drita e pret Shkëndijën në një duel shumë të rëndësishëm të Ligës së Konferencës, teksa faza e dytë e grupeve po hyn në momentet vendimtare. Një fitore do t’i afronte të dyja skuadrat ndjeshëm me raundin e eliminatoreve. Drita vjen në formë të shkëlqyer, me një moral të lartë pas triumfit 1-0 ndaj Shelbourne në…
Sport
Drita e pret Shkëndijën në një duel shumë të rëndësishëm të Ligës së Konferencës, teksa faza e dytë e grupeve po hyn në momentet vendimtare. Një fitore do t’i afronte të dyja skuadrat ndjeshëm me raundin e eliminatoreve.
Drita vjen në formë të shkëlqyer, me një moral të lartë pas triumfit 1-0 ndaj Shelbourne në transfertë. Skuadra e Zekirija Ramadanit ndodhet në pozitën e 13-të në renditje, me pesë pikë nga nëntë të mundshme. Bardhekaltërit janë të pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi dhe synojnë të shkruajnë histori duke u bërë ekipi i parë kosovar që kalon një fazë evropiane.
Shkëndija nga ana tjetër nuk po bind në udhëtimet evropiane, me vetëm një fitore në tetë ndeshjet e fundit jashtë vendit. Humbja 2-0 ndaj Rayo Vallecanos i vuri në vështirësi që në start, por më pas ekipi mori katër pikë nga dy ndeshjet e radhës, përfshirë fitoren e rëndësishme ndaj Shelbourne. Megjithatë, disfata 3-0 ndaj Arsimit në kampionat është një sinjal alarmi, pasi skuadra ka fituar vetëm dy nga pesë ndeshjet e fundit si mysafire dhe ka mbetur pa shënuar në tre prej tyre.
Në histori, Drita ka luajtur vetëm një herë ndaj një ekipi maqedonas, duke mposhtur Sileksin 2-0 në 2020, ndërsa Shkëndija përballet për herë të parë me një skuadër kosovare.
Statistikat e fundit tregojnë se Drita shënon zakonisht nga një gol në Evropë dhe shpesh ndeshjet e saj kanë tension, me katër kartonë të kuq në gjashtë ndeshjet e fundit. Shkëndija nga ana e saj ka numra të dobët ofensivë, me vetëm pesë goditje në portë gjatë kësaj faze.