Kurti e Osmani në Forumin “Zá n’Kujtesë”: Helmimet e nxënësve në vitet ’90, një nga krimet më të errëta të regjimit serb
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani morën pjesë në edicionin e dytë të Forumit “Zá n’Kujtesë”, i cili këtë vit iu kushtua helmimeve masive të nxënësve shqiptarë në Kosovë gjatë viteve 1990–1992. Aktiviteti u organizua nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, në bashkëpunim me…
Lajme
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani morën pjesë në edicionin e dytë të Forumit “Zá n’Kujtesë”, i cili këtë vit iu kushtua helmimeve masive të nxënësve shqiptarë në Kosovë gjatë viteve 1990–1992.
Aktiviteti u organizua nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, në bashkëpunim me MAShTI-n, dhe solli dokumente, fotografi dhe dëshmi të rëndësishme historike të asaj periudhe.
Në fjalën hapëse, Kurti kujtoi se forumet e tilla janë thelbësore për të dokumentuar krimet e së kaluarës. Ai tha se helmimet e nxënësve përbëjnë “një nga krimet më makabre dhe më djallëzore të shtetit okupator serb”, duke nënvizuar se shumë pjesëmarrës të pranishëm e kanë përjetuar vetë atë periudhë.
Kryeministri rikujtoi se rastet e para të helmimeve u shënuan më 21 mars 1989 në Klinë dhe më 6 dhjetor 1989 në Prizren, në kohën kur Serbia po përgatitej të suprimonte autonominë e Kosovës. Vetëm në vitin 1990, helmimet u raportuan në 20 qytete dhe 11 fshatra të Kosovës, me 7,421 nxënës të helmuar.
Helmime u regjistruan edhe në fabrika si “Emin Duraku” në Gjakovë, “Ballkan” në Suharekë dhe “Polet” në Vushtrri, madje edhe në një çerdhe në Gjakovë.
Kurti theksoi se autoritetet serbe tentuan të fshehnin rastet, duke penguar hetimet dhe analizat mjekësore. Një prej rasteve më flagrante, sipas tij, ishte burgosja e 48 studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, të akuzuar se po jepnin “ndihmë mjekësore të paautorizuar”.
Kryeministri nënvizoi se dokumentimi i këtyre krimeve nga institucionet e Kosovës është i domosdoshëm për të ruajtur të vërtetën historike. Ai përmendi rolin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, ku po krijohet një qendër arkivore, librare dhe audiovizuale për studiuesit dhe profesionistët.
Duke përmbyllur fjalën e tij, Kurti tha se kujtesa kolektive dhe ndriçimi i së vërtetës janë mekanizma për të parandaluar rikthimin e politikave shtypëse.
“Duke njohur dhe dokumentuar të gjitha krimet e kryera nga shteti serb në Kosovë, kujdesemi që të mos kthehet fashizmi dhe që e kaluara të mos na përsëritet”, tha ai.