Kosova e BE zhvilluan takimin e shtatë të Nën-komitetit të MSA

Zhvillimet në fushat e çështjeve ekonomike dhe financiare, si dhe statistikave ishin temat e diskutimit në takimin e shtatë të Nën-komitetit të MSA-sa ndërmjet zyrtarëve nga Kosova dhe Komisionit Evropian dje në Bruksel. Gjatë takimit, zyrtarët shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet ekonomike dhe financiare, politikat buxhetore dhe fiskale, mjedisin e biznesit, statistikat dhe kontrollin e brendshëm…

Lajme

26/11/2025 18:07

Zhvillimet në fushat e çështjeve ekonomike dhe financiare, si dhe statistikave ishin temat e diskutimit në takimin e shtatë të Nën-komitetit të MSA-sa ndërmjet zyrtarëve nga Kosova dhe Komisionit Evropian dje në Bruksel.

Gjatë takimit, zyrtarët shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet ekonomike dhe financiare, politikat buxhetore dhe fiskale, mjedisin e biznesit, statistikat dhe kontrollin e brendshëm të financave publike.

Në fushën e politikave ekonomike dhe fiskale, u adresuan tema që lidhen me rritjen e bruto prodhimit vendor, inflacionin, tregun e punës dhe sektorin e jashtëm.

Kosova paraqiti këndvështrimin e vet për politikat fiskale, duke përfshirë vlerësimin e riskut dhe sfidave fiskale dhe përgatitjen dhe miratimin e buxhetit për 2026, i cili është vonuar për shkak të ngërçit politik.

BE theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal duke respektuar kufijtë e shpenzimeve dhe të deficitit të përcaktuar nga rregullat fiskale, duke forcuar njëkohësisht shpenzimet që nxisin rritjen.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në sektorët bankarë dhe të sigurimeve, si dhe zhvillimet në lidhje me lëvizjen e lirë të kapitalit.

U diskutuan gjithashtu reformat kyçe strukturore të nevojshme për rritjen e aftësisë së Kosovës për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut, përkatësisht në fushat e mjedisit të biznesit, energjisë dhe privatizimit.

Këtu u përfshinë bashkëbisedime rreth zhvillimeve të parapara nga Ligji për Investimet e Qëndrueshme, siç është krijimi i një Agjencie për Investime dhe Eksport dhe një Agjencie për Mbështetjen e Ndërmarrjeve. U vlerësua progresi në reformat e tjera strukturore që synojnë nxitjen e zhvillimit të sektorit privat dhe investimeve të huaja direkte, si dhe zhvillimet legjislative, stabiliteti financiar dhe qeverisja e ndërmarrjeve publike.

Në fushën e statistikave, pjesëmarrësit u dakorduan se statistikat e besueshme dhe me cilësi të lartë janë esenciale për hartim efektiv të politikave të bazuara në dëshmi. Për këtë, me rëndësi kyçe janë përmirësimi i mëtejshëm i qasjes në burimet e të dhënave administrative të disponueshme dhe përdorimi sistematik i tyre.

Diskutimet u fokusuan në nevojën për forcim të kapaciteteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, veçanërisht në lidhje me sigurimin e burimeve të nevojshme njerëzore dhe financiare për Regjistrimin e Bujqësisë të planifikuar.

Në fushën e kontrollit financiar u adresuan zhvillimet më të fundit në Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik, veçanërisht rëndësia e sigurimit të zbatimit gjithëpërfshirës të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, Menaxhimit të Financave Publike dhe Reformave të Administratës Publike.

Diskutimet në këtë fushë u fokusuan edhe në nevojën për forcim të menjëhershëm të kapaciteteve për auditim të brendshëm, si dhe për përmirësim të transparencës së përgjithshme të raportimit të Kosovës.

Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave mbi reformat e lidhura me BE-në.

Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizimit dhe Asociimit, si dhe Nën-Komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së.

Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian. Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces.

Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Pylltaria, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimi i Klimës dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.

Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimet e Komitetit dhe nën-Komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të mëvonshme të dakorduara.