VV kërkon hapjen e qendrave të votimit edhe jashtë hapësirave diplomatike, PDK e kundërshton

Shqyrtimi dhe miratimi i Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe kapacitetit maksimal të votuesve për secilin vendvotim, për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, ishte temë diskutimi në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, kërkoi që qendrat…

Lajme

26/11/2025 16:11

Shqyrtimi dhe miratimi i Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe kapacitetit maksimal të votuesve për secilin vendvotim, për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, ishte temë diskutimi në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, kërkoi që qendrat e votimit të hidhen në votim si paketë e vetme.

“Sipas meje, kjo çështje nuk është trajtuar drejt nga kryesuesi. Asnjë qendër votimi nuk ndahet në pjesë dhe ato në ambiente diplomatike janë caktuar për të mundësuar pjesëmarrjen sa më të gjerë të qytetarëve. Në Frankfurt, për shembull, kemi lejuar deri në 2,000 votues; ne vetë kemi qenë atje dhe në katin e 7-të kanë votuar rreth 1,650 persona. Ndërkohë, disa adresa janë refuzuar pa arsye të bazuar, ndërsa është thënë se mbrohet integriteti i procesit, kur në fakt po e vështirësojmë pjesëmarrjen e mërgatës. Nuk mund t’u pamundësojmë qytetarëve të votojnë duke mbyllur qendra që i plotësojnë kriteret teknike. Prandaj, kërkoj që si dje, edhe sot të votohet si tërësi e jo një nga një, e as duke i ndarë hapësirat diplomatike nga të tjerat,” tha Krasniqi.

Ndërsa anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, akuzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme për përpjekje për të ndërhyrë në procesin e votimit për diasporën.

“Kemi pasur situatë të ngjashme në zgjedhjet e kaluara të shkurtit, për të cilat kemi pasur rreth gjashtë muaj përgatitje. Ne i kemi inspektuar të gjitha objektet dhe konsullatat që përgatiteshin për procesin e 9 shkurtit. Ligji e përcakton qartë që qytetarët, përmes KQZ-së, kërkojnë nga MPJD që përfaqësitë diplomatike të jenë të gatshme për votim. Edhe zgjedhjet e fundit MPJD ka tentuar të ndërhyjë duke hapur qendra jashtë vendimeve të KQZ-së, madje në lokale private, çka ngre dyshime për interesa të caktuara. Ka dy vendime gjyqësore – përfshirë atë të Gjykatës Supreme – që konfirmojnë se KQZ nuk ka cenuar të drejtën e qytetarëve për votim në ambiente diplomatike. Prandaj nuk duhet të hapen qendra jashtë këtyre hapësirave, sepse është shkelje ligjore. Fatkeqësisht, Sekretariati po merr kompetenca që nuk i takojnë, duke vepruar sipas interesave të MPJD-së. Kërkoj që qendrat e votimit të hapen vetëm në përputhje me ligjin dhe me vendimet e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme,” theksoi Gashi.

Këto deklarata u kundërshtuan nga anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

“I dëgjova kolegët dhe do t’u sugjeroja të lexojnë dokumentet origjinale dhe konventat që po i përmendin, sepse mënyra si janë cituar është keqinterpretim. I kam studiuar dhe i njoh mirë. Po ashtu, kërkoj të paraqiten vendimet e Gjykatës Supreme dhe PZAP-it, të cilat nuk e kanë ndaluar procesin, por kanë vlerësuar se vendimi i KQZ-së ka qenë i rregullt. Vendimi për hapjen e qendrave të votimit nuk është në kundërshtim me asnjë akt. Sa i përket kostos, deri në 90 mijë euro janë vetëm hapësirat shtesë, ndërsa njëra prej qendrave ka pagesë 5,600 euro për dy ditë; të tjerat jo. Sipas tabelës, në Frankfurt çmimi është 2,800 euro për ditë. Dje morëm vendim që mërgimtarëve t’u dërgohen fletëvotime të shtypura dhe u pa qartë se procesi është i pazbatueshëm. Nuk e kuptoj pse ka kundërshtim t’u ofrojmë votuesve jashtë vendit mundësi reale votimi,” tha Kurteshi.

Gashi reagoi sërish, duke e quajtur deklaratën e Kurteshit shpifje.

“Kjo është shpifje, dhe kam dokument se shuma është 95 mijë euro. Në emrin tim nuk mund të flitet,” u shpreh Gashi.

Kurteshi iu kundërpërgjigj duke thënë se deklaratat e Gashit nuk janë të vërteta.

“E di që po të djeg, sepse janë të pavërteta,” tha ai.