Ramadani reagon pasi u dënua për shpifje: Nuk do ndalojmë asnjëherë së foluri për shqetësimet e qytetarëve – Do të fitojë e drejta e jo PDK-ja
Dje Gjykata Themelore e Ferizajt ka aprovuar pjesërisht padinë për shpifje të ngritur nga biznesmeni Afrim Matoshi kundër ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani. Me këtë vendim gjyqësor, Ramadani detyrohet t’i kërkojë falje publike Matoshit në të njëjtin medium ku u bë deklarata, t’i paguajë atij 5 mijë euro dëmshpërblim jo-material, plus interes prej 8…
Lajme
Dje Gjykata Themelore e Ferizajt ka aprovuar pjesërisht padinë për shpifje të ngritur nga biznesmeni Afrim Matoshi kundër ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.
Me këtë vendim gjyqësor, Ramadani detyrohet t’i kërkojë falje publike Matoshit në të njëjtin medium ku u bë deklarata, t’i paguajë atij 5 mijë euro dëmshpërblim jo-material, plus interes prej 8 për qind, si dhe shpenzimet procedurale në vlerë prej 959 euro.
Për këtë ka reaguar sot edhe deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, i cili ka thënë se për këtë u njoftua përmes mediave, teksa e ka cilësuar qesharake dhe kriminale që këtë dënim e morën vesh disa portale para se ta marrin vesh palët dhe të botohet zyrtarisht.
“Mora vesh nga mediat se Gjykata e Ferizajit më paska dënuar për shkak se katër vite më parë unë i dhashë zë asaj që shumica e qytetarëve mendojnë dhe kritikova PDK-në për ndërtimet e parregullta, tenderimet favorizuese dhe sekserët që bëjnë marrëveshje joligjore në komunën tonë. Sipas këtij vendimi, kjo qenka shpifje, e ne duhet ta mbyllim gojën edhe pse po i shohim se çfarë po ndodh”, ka shkruar Ramadani.
Tutje Ramadani, është shprehur se çështjen do ta dërgojë në Apel, ku tha se është i sigurt se do të fitojë e drejta e jo PDK-ja.
“Por, vetëm dua ta them një porosi: e ftoj gjyqtarin e çështjes që të paktën ta lexojë një herë Ligjin Nr. 02/L-065 kundër Shpifjes dhe Fyerjes. E treta, beteja do të vazhdojë. Jemi me qytetarët, nuk do ndalojmë asnjëherë së foluri për shqetësimet e tyre të drejta. Në Kosovë nuk do të lejojmë as bajraktarë e as sekserë, sepse duhet dhe do të vendoset sistem i drejtë, edhe në nivel lokal, edhe në komunën e Ferizajit”, ka shkruar me tjerash Ramadani në profilin e tij në Facebook. /Lajmi.net/