Autoritetet në Mal të Zi: Gjukanoviq s’i ka deklaruar orët që arrijnë vlerën e rreth 200 mijë eurove

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi më 25 nëntor se ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nuk ka deklaruar një pjesë të pasurisë së tij të luajtshme – koleksionin e orëve të dorës që zotëron, me vlerë rreth 200.000 eurosh. Siç thuhet në raport, Agjencia ka analizuar fotografi të publikuara nga disa media malazeze,…

Lajme

25/11/2025 20:09

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi më 25 nëntor se ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nuk ka deklaruar një pjesë të pasurisë së tij të luajtshme – koleksionin e orëve të dorës që zotëron, me vlerë rreth 200.000 eurosh.

Siç thuhet në raport, Agjencia ka analizuar fotografi të publikuara nga disa media malazeze, të bëra gjatë paraqitjeve të ndryshme publike të Gjukanoviqit ndër vite, teksa ai ushtronte funksionin e presidentit ose kryeministrit të Malit të Zi.

Fotografitë përfshinin edhe orë dore nga shtatë marka, secila nga to, sipas ekspertëve të provave digjitale, vlerësohet se kushtojë mes 8.000 dhe 59.000 euro.

Ekspertët e provave digjitale dhe të fushës ekonomiko-financiare analizuan fotografi në të cilat Gjukanoviq mban në dorë orët “Franck Muller”, “Cartier Pasha”, “Brequet Tourbilion”, “Roger Dubuis Excalibur”, “Rolex”, “Patek Philippe” dhe “Cartier Moonphase”.

“Agjencia, në procedurën e provave, ka konstatuar se fotografitë ku paraqitet ish-funksionari publik Millo Gjukanoviq me këto orë në dorë janë autentike dhe se ato nuk janë deklaruar në asnjërin nga raportet e cekura mbi të ardhurat dhe pasurinë si pronë sa i përket pasurisë së luajtshme”, thuhet në arsyetim.

Në përgjigjen e vitit 2021, Gjukanoviq ka deklaruar se pretendimet për “orë me vlerë marramendëse janë sensacionalizëm dashakeq”.

Ai ka theksuar gjithashtu se një pjesë të orëve nuk i ka pasur kurrë në pronësi, ndërsa orën “Brequet Tourbilion” e zotëron “që nga vitet ’90 si dhuratë nga një person i afërt, para se të merrja funksion publik”.

Agjencia në vendimin e saj ka deklaruar se nuk e pranoi arsyetimin e Gjukanoviqit.

“Agjencia nuk ka pranuar pretendimin e pakonfirmuar se njëra nga orët është dhuratë nga një periudhë e mëhershme, pasi kjo nuk është mbështetur me asnjë provë, dhe sipas ekspertëve të provave digjitale, një model i tillë i orës nuk ekziston”.

Millo Gjukanoviq ka ushtruar funksionet më të larta shtetërore në Mal të Zi që nga fillimi i viteve ’90.

Partia e tij, Partia Demokratike e Socialistëve, ka udhëhequr të gjitha qeveritë deri në vitin 2020, kur humbi pushtetin ndaj një koalicioni të përbërë nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Ura.

Gjukanoviq e përfundoi mandatin e tij presidencial në vitin 2023, kur u mund nga presidenti aktual, Jakov Millatoviq.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kërkesë Zyrës së ish-presidentit duke kërkuar koment mbi vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, por nuk ka marrë përgjigje.

Gjukanoviq mund të nisë procedurë administrative kundër vendimit të Agjencisë brenda 20 ditësh. REL