Thirrja e Osmanit për të mos hyrë në Serbi, Koci: Shteti përveç paralajmërime, duhet të ndërmarrë hapa konkretë – Patriotizëm është t’i mbrosh qytetarët
Avokati Arianit Koci, ka reaguar pasi presidentja e Kosovës, ka bërë thirrje që të shmanget kalimi i qytetarëve të Kosovës në Serbi. Ai ka thënë se ndonëse shqetësimi është legjitim dhe rreziku real, një shtet nuk ndërtohet mbi një klimë frike e as mbi mesazhe që siç thotë ai, prodhojnë ndjenjën e dorëzimit. “Kur thua…
Lajme
Avokati Arianit Koci, ka reaguar pasi presidentja e Kosovës, ka bërë thirrje që të shmanget kalimi i qytetarëve të Kosovës në Serbi.
Ai ka thënë se ndonëse shqetësimi është legjitim dhe rreziku real, një shtet nuk ndërtohet mbi një klimë frike e as mbi mesazhe që siç thotë ai, prodhojnë ndjenjën e dorëzimit.
“Kur thua “mos shkoni”, atëherë duhet të tregosh edhe “si do t’ju mbrojmë” dhe “çfarë zgjidhje po ofrojmë”. Përndryshe, thirrja mbetet e cunguar dhe krijon hapësirë për pasiguri”, ka shkruar Koci në Facebook.
Ai ka thënë se shteti përveç paralajmërimeve, duhet të ndërmarrë hapa konkretë dhe të matshëm.
“– të ofrojë rrugë alternative të sigurta dhe të përballueshme për diasporën;
– të garantojë mbrojtje konsullore të menjëhershme për çdo qytetar që përballet me autoritetet serbe;
– të koordinohet ngushtë me shtetet mike për monitorimin e rasteve të ndalimeve;
– të vendosë masa reciproke të peshuara, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare;
– të ushtrojë presion diplomatik të vazhdueshëm që këto praktika të marrin fund”, ka shkruar Koci.
Ai ka thënë se kjo është mënyra si vepron një shtet serioz, me qetësi, plane dhe përgjegjësi duke mos u tërhequr, as frikësuar e as përkulur.
“Unë mbetem kundër defetizmit. Kosova nuk ka ecur përpara duke mbyllur rrugë, por duke hapur mundësi dhe duke mbrojtur secilin qytetar të saj. Forca jonë si shoqëri buron nga veprimi – jo nga paniku. Në fund të ditës, patriotizëm nuk është me i trembë njerëzit. Patriotizëm është me i mbrojtë”, ka thënë Koci. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: