Matoshi: VV del fituese, por pa mundësi për të formuar institucione – AAK nuk e ka problem pragun, NISMA i bashkohet LDK-së

Analisti politik Halil Matoshi, në një prononcim për lajmi.net, ka vlerësuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të prodhojnë nevojën për koalicione, pavarësisht se kush del forcë e parë. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mund të dalë fituese relative, por nuk do të ketë numrat e nevojshëm për të formuar e vetme institucionet. “Fituese relative e…

Lajme

25/11/2025 15:26

Analisti politik Halil Matoshi, në një prononcim për lajmi.net, ka vlerësuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të prodhojnë nevojën për koalicione, pavarësisht se kush del forcë e parë.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mund të dalë fituese relative, por nuk do të ketë numrat e nevojshëm për të formuar e vetme institucionet.

“Fituese relative e zgjedhjeve të 28 dhjetorit mund të dalë VV por pa mundësi që e vetme të krijojë institucionet. Pra do të imponohen koalicionet në qeverisje”, tha ai.

Matoshi tha se trendet tregojnë rënie të VV-së krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, por edhe me ato lokale të nëntorit, raporton lajmi.net

“Nëse kemi parasysh rënien e VV për 16% në zgjedhjet e 9 shkurtit të sivjetëm krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, dhe rënien për 17 mijë vota vetëm në Prishtinë në zgjedhjet vendore të nëntorit, atëherë LVV mund të jetë në lakoren e rënies deri në 10% më 28 dhjetor,” u shpreh Matoshi.

Ai vlerësoi se PDK pritet të shënojë rritje prej 3–5%, ndërsa LDK dhe AAK mund të rriten me 2–3%.

“Sipas trendeve aktuale, PDK do të ketë rritje prej 3-5%, kurse LDK e AAK prej 2-3%”, u shpreh Matoshi.

Sa i përket partive të tjera, Matoshi u shpreh se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta kalojë pa problem pragun zgjedhor dhe madje pret rritje të saj.

“AAK asnjëherë nuk ka pasur probleme me pragun dhe nuk do të ketë as tash, madje unë pres që të ketë rritje më 28 dhjetor,” tha ai.

Ndërkohë, për NISMA-n, analisti tha se ka gjasa t’i bashkëngjitet listës së LDK-së në këto zgjedhje.

“NISMA duket se do t’i bashkëngjitet Listës së LDK-së”, tha ai./Lajmi.net/