VV fajëson LDK-në për pezullimin e linjave të Trafikut Urban, e quajnë situatë të paprecedentë

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, gjegjësisht asamblistës Gëzim Sveçla dhe Egzon Azemi kanë mbajtur sot një konferencë për media. Në këtë konferencë, Sveçla ka thënë se sot Komuna e Prishtinës po përballet me një keqpërdorim të paprecedent të institucioneve dhe ndërmarrjeve të saj publike. Ai ka thënë se Përparim Rama i ka vënë ndërmarrjet…

Lajme

24/11/2025 16:57

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, gjegjësisht asamblistës Gëzim Sveçla dhe Egzon Azemi kanë mbajtur sot një konferencë për media.

Në këtë konferencë, Sveçla ka thënë se sot Komuna e Prishtinës po përballet me një keqpërdorim të paprecedent të institucioneve dhe ndërmarrjeve të saj publike. Ai ka thënë se Përparim Rama i ka vënë ndërmarrjet komunale në funksion të propagandës së LDK-së, që sipas tij kanë qëllim ndërtimin e një narracioni të rremë kundër Qeverisë dhe VV-së.

“Ky është manipulim i pastër politik, i planifikuar dhe i qëllimshëm. Sa i përket buxhetit, ne kemi qenë të qartë që nga fillimi, partitë opozitare nuk kanë dashur ta miratojnë buxhetin e Prishtinës, për t’i shërbyer fushatës së tyre elektorale. Dhe sot, deklarata e Presidentes Osmani e konfirmoi publikisht pikërisht këtë. Pra, e vërteta është shumë e thjeshtë, në njërën anë refuzim për ta votuar buxhetin e Prishtinës në Parlament, dhe në anën tjetër, mungesë pune, mungesë përgjegjësie dhe strategji bllokuese politike nga kryetari Rama dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Projektet janë mbajtur peng me vetëdije. Zhvillimi i qytetit është sabotuar me synim elektoral. Institucionet komunale janë vënë në shërbim të lojës së LDK-së”, ka thënë Sveçla.

Ai ka bërë thirrje të hapur për ndërhyrje të organeve të drejtësisë, që siç ka thënë ai të hetohen të gjitha denoncimet e bëra viteve të fundit për keqpërdorime në Komunën e Prishtinës dhe ndërmarrjet e saj.

“Vetëvendosje nuk do të heshtë. Sot, ne thërrasim të gjitha strukturat tona në Prishtinë, aktivistët, mbështetësit, votuesit tanë, të mobilizohen në mënyrë të plotë për të mbrojtur qytetin nga ky abuzim i thellë politik. Dhe një thirrje të drejtpërdrejtë e kemi edhe për punëtorët e ndërmarrjeve publike. Ju bëjmë thirrje të mos bëheni pjesë e lojës së paligjshme politike të Përparim Ramës dhe LDK-së. Të mos pranohet presioni, shantazhi apo instrumentalizimi. Ndërmarrjet janë të qytetit, jo të partive. Ato janë të punës, jo të propagandës. Askush nuk ka të drejtë t’ju përdorë politikisht. Ky ka qenë argumenti i ngritur nga Përparim Rama në zgjedhje dhe në koordinim me PDK po mundohet ta ngrejë si kauzë sa i përket zgjedhjeve qendrore. Narracioni i ngritur për bllokadë nuk është i vërtetë, i vetmi bllokues është Përparim Rama dhe Lumir Abdixhiku. Këtë e konfirmoi edhe Presidentja që Kuvendi ka pasur të drejtë miratimin e buxhetit nëpër komuna. Sot bëjmë thirrje të hapur për ndërhyrje të organeve të drejtësisë”, tha Sveçla.

Në lidhje me ndalimin e transportit publik, asamblisti i VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi ka thënë se situata është e paprecedentë. Ai i ka lënë përgjegjës Ramën dhe LDK-në që sipas tij kanë bllokuar vazhdimisht edhe veten.

“Situata që ndodhi sot është e paprecedentë, për herë të parë sot do të hyjë në histori që është ndalur transporti publik. Përgjegjës është Përparim Rama dhe LDK vazhdimisht kanë bllokuar edhe veten. Ndërmarrja Trafiku Urban menaxhohet nga LDK, kjo ndërmarrje ka borxh mbi 1 milion euro. Komplet ndërmarrjet publike janë në buzë të falimentimit. Është e qartë që çdo veprim i Ramës janë veprime për të krijuar kauza elektorale në momente të fushatave, se kinse dikush i ka bllokuar. Sot kryetari Rama e kuptoi dhe e pranoi edhe deklarimet e tij për të hyrat vetanake, mirëpo sot pas takimit kanë shkuar në komunë dhe i kanë shpjeguar procedurën dhe ai thirri mbledhje urgjente të Kuvendit Komunal. Ai e ka pranuar se fajtori është vetë”, ka thënë ai.

Ai ka krahasuar ndërmarrjet publike që menaxhohen nga LDK ose PDK me ato që menaxhohen nga VV.

“Ndërmarrja ‘Trafiku Urban’menaxhohet nga LDK dhe aktualisht ka borxh mbi 1 milion euro. Ndërmarrja Stacioni i autobusëve qeveriset nga LVV dhe ka në konton e tyre 1 milion euro. Nuk ka borxhe, i paguan pagat e punëtorëve. Ndërsa ‘Ndërmarrja e Gjelbër’ që menaxhohet nga PDK ka 70 cent në xhirollogari dhe ngjashëm është edhe në ndërmarrja publike banesore dhe ku aty përballen me mungesë të pagave. Komplet ndërmarrjet që menaxhohen nga PDK dhe LDK janë buzë falimentimit”, theksoi Azemi.