​Pakënaqësi e madhe, qytetarët nën presion pa komunikacion urban

Mosfunksionimi i autobusëve lokal ka vështirësuar jetën e qytetarëve në Prishtinë. Ata ankohen për mungesë informacioni, derisa kanë kritikuar komunën dhe Qeverinë. Që nga mëngjesi i ditës së sotme, qarkullimi me automjete në kryeqytet ka qenë më i lehtë për shkak të mungesës së autobusëve, por kjo mungesë solli sfida për ata që përdorin trafikun…

Lajme

24/11/2025 15:27

Mosfunksionimi i autobusëve lokal ka vështirësuar jetën e qytetarëve në Prishtinë. Ata ankohen për mungesë informacioni, derisa kanë kritikuar komunën dhe Qeverinë.

Që nga mëngjesi i ditës së sotme, qarkullimi me automjete në kryeqytet ka qenë më i lehtë për shkak të mungesës së autobusëve, por kjo mungesë solli sfida për ata që përdorin trafikun urban.

E gjithë kjo situatë, solli komente, polemika dhe ankesa nga më të ndryshmet nga ana e qytetarëve.

Trafiku urban në Prishtinë që nga sot nuk po funksionon për shkak të mungesës së mjeteve për derivate dhe paga. Ata kanë fajësuar Komunën e Prishtinës që nuk ka alokuar mjetet, derisa kjo e fundit ka fajësuar Ministrinë e Financave.

Hasan Blaku, qytetar i rastit lidhur me këtë vendim shprehi pakënaqësi të madhe duke e konsideruar si jo të drejtë.

“Për të gjithë udhëtarët pasagjerët kjo është vështirësi, kjo është e pa kuptimtë, çfarë shteti more s’ka as komunikacion urban, unë s’di çfarë shteti është ky, kjo është marre çka po ndodh”, tha Blaku.

Ndërsa, Mane Gashi gjatë pritjes në stacione të autobusëve u shpreh se as nuk ishte në dijeni për këtë çështje.

“Unë as nuk e kam ditur, sot kam ardhur dhe nuk vi më këtu, çdo ditë kam ardhur. Unë jam plakur nuk e kam parë, nuk po më interesojnë këto gjëra”, u shpreh Gashi.

Rahime Plakiqi u shpreh se kjo situatë e solli atë në gjendje shumë të palakueshme duke e lënë të priste rrugëve gjatë.
“Kam pritur në aeroport një orë, shumë keq është kështu, nuk e shohim të arsyeshme, tash rrogat nuk e di ua kanë dhënë nuk jam në ngjarje” u shpreh ajo.

Gjithashtu, Besim Plakiqi u shprehë se nëse punonjësit e Trafikut Urban nuk paguhen, atëherë është vendim i arsyeshëm ani pse shkakton probleme tek qytetarët.

“Për shkolla, për studentë, udhëtarë, për të gjithë është negativ, por nëse nuk janë paguar, atëherë mirë kanë vepruar”, tha ai.

Për këtë çështje sot edhe është protestuar nga punëtorët e trafikut urban. Ata protestuan para komunës. Ndërkohë, së bashku me kryetarin e komunës, Përparim Rama shkuan për të protestuar edhe para Qeverisë.