​KQZ-ja miraton buxhetin prej mbi 7 milionë euro për zgjedhjet e parakohshme

Buxheti për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, do të jetë 7 milionë e 771 mijë e 486 euro. Në këtë shumë përfshihen tri kategoritë kryesore, pagat dhe shtesat, mallra dhe shërbime dhe shpenzime komunale për zgjedhjet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotshme përveç që miratoi këtë buxhet, mori vendim…

Lajme

24/11/2025 15:23

Buxheti për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, do të jetë 7 milionë e 771 mijë e 486 euro. Në këtë shumë përfshihen tri kategoritë kryesore, pagat dhe shtesat, mallra dhe shërbime dhe shpenzime komunale për zgjedhjet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotshme përveç që miratoi këtë buxhet, mori vendim edhe për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, pra një (1) euro për votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,076,422.

Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se një subjekt politik i certifikuar nuk mund të tejkaloj vlerën.

Një subjekt politik i certifikuar nuk mund të tejkaloj vlerën, theksoi Buzhala

“Me datë 22 nëntor 2025 zyra nga Sekretariati i KQZ, ka pranuar numrin e përgjithshëm të votuesve sipas ekstraktit të parë të përgatitur nga Agjencia për Regjistrim Civil. Ky numër përfshin 2 milionë e 706 mijë e 422 votues, andaj lidhur me këtë zyra i rekomandon KQZ, që ta aprovoj kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve në vlerë 2 milionë e 706 mijë 422 euro për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen me 28 dhjetor. Një subjekt politik i certifikuar nuk mund të tejkaloj vlerën”, tha Buzhala.

Tutje, për buxhetin e zgjedhjeve, Buzhala tha se në këtë shumë përfshihen tre kategoritë kryesore, pagat dhe shtesat në vlerë 109 mijë euro, mallra dhe shërbime 1 milionë e 652 e 575 euro dhe shpenzime komunale 9 mijë e 500 euro.

“Vlera totale e buxhetit të planifikuar kap shumën e 7 milionë e 771 mijë e 486.53 euro, ku në këtë shumë përfshihen tre kategoritë kryesore, pagat dhe shtesat në vlerë 109 mijë euro, mallra dhe shërbime 1 milionë e 652 e 575 euro dhe shpenzime komunale 9 mijë e 500 euro. Te mallrat dhe shërbimet janë disa aktivitete kryesore që mbulohen, shtypja e fletëvotimeve, broshura dhe lista e votuesve, shërbimet postare për organizimin e votimit jashtë vendit, pako të trajnimit, doracak të trajnimit, transporti i materialit zgjedhor, format zgjedhore, kabinat e votimit, ngjyra martikulare, furnizimi me vula, materiale administrative për vendvotime, transporti nga QNR në depo si dhe tërheqja e shortit për renditjen”, tha Buzhala.

Për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërsa sipas raporteve të KQZ-së, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë euro.