AUV kthen në Shqipëri 485 dele dhe 25 qingja të ndaluara në territorin e Kosovës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka marrë vendim për kthimin në vendin e origjinës së kafshëve të ndaluara të cilat janë futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës Në njoftim thuhet se bëhet fjalë për 485 dele dhe 25 qingja. “Më datë 16.11.2025, Policia Kufitare, Dogana dhe Shërbimi Veterinar kanë ndaluar…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka marrë vendim për kthimin në vendin e origjinës së kafshëve të ndaluara të cilat janë futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës
Në njoftim thuhet se bëhet fjalë për 485 dele dhe 25 qingja.
“Më datë 16.11.2025, Policia Kufitare, Dogana dhe Shërbimi Veterinar kanë ndaluar në Prizren një grup kafshësh të kontrabanduara të llojit dele dhe dhi, të cilat kishin hyrë në mënyrë të paautorizuar nga Republika e Shqipërisë.
Për shkak se këto kafshë nuk posedonin certifikata shëndetësore veterinare dhe paraqisnin rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, AUV ka kthyer në vendin e origjinës, Shqipëri, 485 dele dhe 25 qingja. Veprimet e ndërmarra janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Policinë Kufitare, Doganën dhe Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftim.
AUV njofton se vazhdon të zbatojë monitorim rigoroz dhe të vazhdueshëm mbi gjendjen shëndetësore dhe lëvizjet e të gjitha kategorive të kafshëve brenda territorit të vendit, me synim parandalimin e futjes dhe përhapjes së sëmundjeve ngjitëse që mund të dëmtojnë fondin blegtoral dhe ekonominë bujqësore.
“Njëkohësisht, AUV njofton opinionin e gjerë se importi i kafshëve të gjalla lejohet të kryhet vetëm përmes pikave kufitare të autorizuara, ku realizohen kontrollet e detyrueshme dokumentare, identifikuese dhe veterinare, me qëllim që të shmanget çdo rrezik potencial për shëndetin e kafshëve, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik”, thuhet në njoftim.