Abdixhiku: Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, por plot 35 milionë euro të vetat – Këto janë lëvizjet e fundit të një pushteti në rënie

Kryetari Komunës së Prishtinës, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me bllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës, buxhet i cili ka bërë që të pezullohen të gjitha linjat e Trafikut Urban. Abdixhiku ka thënë se pasi bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, vendosën ta bllokojnë Prishtinën, pasi sipas tyre, partia në pushtet “jetojnë…

Lajme

24/11/2025 12:07

Kryetari Komunës së Prishtinës, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me bllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës, buxhet i cili ka bërë që të pezullohen të gjitha linjat e Trafikut Urban.

Abdixhiku ka thënë se pasi bllokada 10 mujore e shtetit mori fund, vendosën ta bllokojnë Prishtinën, pasi sipas tyre, partia në pushtet “jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë dhe ushqehen me bllokadë”.

“Dhe ja ku jemi sot, pa transport publik në Kryeqytet; me punëtorë pa paga e në protestë; me qytetarët në pritje nëpër stacione; dhe me një pushtet arrogant që në vend të arsyes vazhdon të ushtrojë hakmarrje politike ndaj Prishtinës duke akuzuar secilin tjetër. Dhe ky është vetëm fillimi. Bllokada e Prishtinës rrezikon tutje shkolla, qendra mjekësore, shërbime bazike për njerëzit e këtij vendi”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se ata nuk e kuptojnë se kur e bllokojnë buxhetin e kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në.

“E bllokojnë jetën e qytetarëve të vet. E bllokojnë mësimin e fëmijëve, punën e prindërve, ekonominë e Prishtinës; kryeqendrën e vet shtetit. Dhe kur këta fshihen pas justifikimeve burokratike, atëherë secili e ka të qartë se problemi nuk është më tek procedura, por tek vullneti politik që këta nuk e kanë. Pra nuk është te ligji, por te mllefi. Nuk është te mirëkuptimi, por te arroganca”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, por i kërkon paratë e veta, plot 35 milionë euro traksa komunale e grante, që thotë se i janë plaçkitur nga “bllokuesit për hakmarrje të pastër politike”

“Prishtina nuk i kërkon as paratë e vitit 2026, por të këtij viti që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025. Arsyetimet për mungesë të votave në Parlament janë vetëm ushqime për militantë. Fundja, me cilin votim në Kuvend, i ndanë këta nga 100 euro për studentë dy ditë para zgjedhjeve? Si është e mundur që për blerje votash e dhënie vitrash nuk paska nevojë për votime nga ne; por ja që për paratë e Prishtinës, ato që i mbledhë Kryeqyteti vet, paska tani një procedurë që po varej nga ne?!”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se Prishtina do të flas sërish siç ka folur njëherë.

“Prishtina ka folur një herë. Do të flasë sërish. Por deri atëherë – le ta dijë secili – se pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij që ka humbur kontaktin me qytetin, me realitetin dhe me detyrimin e tij më bazik: t’i shërbejë njerëzve, jo t’i ndëshkojë ata. Prishtina nuk mbahet peng. As sot, as nesër. Këto janë lëvizjet e fundit të një pushteti në rënie”, ka shtuar Abdixhiku. /Lajmi.net/ 

Postimi i tij i plotë: