Trafiku Urban del me njoftim: Nga nesër ndërpresim të gjitha linjat, ju kërkojmë ndjesë qytetarëve

Trafiku Urban ka dalë me njoftim pas konferencës për media të kryetarit të Komunës, Përparim Rama i cili njoftoi se nga dita e hënë, transporti publik në kryeqytet do të ndalet. Ai ka thënë se buxheti është bllokuar për çështje politike. Trafiku Urban u ka kërkuar falje qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit. Postimi…

Lajme

23/11/2025 13:57

Trafiku Urban ka dalë me njoftim pas konferencës për media të kryetarit të Komunës, Përparim Rama i cili njoftoi se nga dita e hënë, transporti publik në kryeqytet do të ndalet.

Ai ka thënë se buxheti është bllokuar për çështje politike.

Trafiku Urban u ka kërkuar falje qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025.

Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes.

Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme.

Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve.