Haradinaj me thirrje para zgjedhjeve: Populli e ka kuptuar mashtrimin, bashkë e rikthejmë shpresën në vend
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë një mesazh për qytetarët e vendit, duke theksuar se më 28 dhjetor qytetarët do ta kenë në dorë të ardhmen e Kosovës. Haradinaj u shpreh se vendi ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm dhe se tani është momenti për vendime të guximshme. “Kosova nuk…
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë një mesazh për qytetarët e vendit, duke theksuar se më 28 dhjetor qytetarët do ta kenë në dorë të ardhmen e Kosovës.
Haradinaj u shpreh se vendi ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm dhe se tani është momenti për vendime të guximshme.
“Kosova nuk pret më. Koha e fjalëve ka kaluar. Tani është koha e vendimeve të mëdha dhe të guximshme”, ka deklaruar ai, duke shtuar se secili qytetar ka një detyrë të qartë: “Ta mbrojmë të ardhmen e vendit tonë, jo me fjalë të thata, por me votë të pastër, me qëndrim të fortë dhe me dinjitet.”
Haradinaj theksoi se 28 dhjetori është dita kur populli vendos, duke vënë në pah rolin e çdo shtrese të shoqërisë në këtë proces.
“Kur voton ushtari, shtetit i kthehet nderi. Kur voton polici, familjet marrin siguri… Kur voton populli, fitojnë gjeneratat.”
Ai gjithashtu u shpreh se fokusi i AAK-së është rikthimi i besimit te shteti, me një qeverisje që punon për qytetarët dhe që nuk i nënshtrohet propagandës.
“Kosova ndërtohet në terren, dhe jo me propagandë,” tha Haradinaj, duke premtuar se në ditët në vijim do të jetë pranë qytetarëve “në secilin fshat, në secilën lagje, në secilën familje që ka mbajtur Kosovën gjallë në ditët më të vështira.”
Ai pati një mesazh të veçantë edhe për mërgatën:
“Janë zemra e Kosovës në botë… Me votën e tyre, me votën tuaj, Kosovës i kthehet shpresa.”
Haradinaj ritheksoi besnikërinë ndaj aleatëve ndërkombëtarë, duke theksuar se pa ta “s’ka shtet të sigurt.”
Në fund, ai bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm më 28 dhjetor:
“Kosova mbrohet prej popullit. E populli më 28 dhjetor do të flasë fort. E do të flasë drejt.”
Haradinaj përmbylli mesazhin me ftesën për takimet e radhës me qytetarët, duke theksuar rëndësinë e çdo vote në procesin e rikthimit të shpresës dhe forcimit të shtetit.